​Energjia elektrike, ja sa prodhoi KEK-u rrymë në dy muajt e fundit

Ekonomi

​Energjia elektrike, ja sa prodhoi KEK-u rrymë në dy muajt e fundit

Më: 8 shkurt 2026 Në ora: 15:41
Foto ilustrim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se ka shënuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026, si rezultat i operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese, veçanërisht përmes operimit të njëkohshëm me tri njësi të Termocentralit “Kosova A”.

Sipas të dhënave të KEK-ut, gjatë muajit dhjetor 2025 prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 127 për qind të nivelit të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit paraprak, që përfaqëson rritje prej 27 për qind, apo 46.539 MWh më shumë energji elektrike, transmeton KosovaPress.

Ndërkaq, gjatë muajit janar 2026 prodhimi ka shënuar 132.9 për qind të nivelit të janarit të vitit paraprak, që përkthehet në rritje prej 32.9 për qind, apo 63.003 MWh më shumë energji elektrike.

Në total, gjatë këtyre dy muajve, KEK Sh.A. ka realizuar rritje të prodhimit prej rreth 110 mijë MWh më shumë energji elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të vitit paraprak, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend.

“Gjatë muajit dhjetor 2025, prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 127% të nivelit të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit paraprak, që përfaqëson 27% rritje, respektivisht 46,539 MWh më shumë energji elektrike. Ndërsa gjatë muajit janar 2026, prodhimi ka shënuar 132.9% të nivelit të janarit të vitit paraprak, që përkthehet në rritje prej 32.9%, ose 63,003 MWh më shumë energji elektrike. Në total, gjatë këtyre dy muajve, KEK Sh.A. ka realizuar një rritje të konsiderueshme të prodhimit prej rreth 110 mijë MWh, më shumë energji elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të viteve paraprake, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

KEK vlerëson se këto rezultate janë dëshmi e punës profesionale, përkushtimit dhe angazhimit të punonjësve, stafit teknik dhe operativ.

Po ashtu, sot KEK bëri të ditur se njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer pas disa ditësh në operim në orët e mëngjesit të sotëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat