​IQMT tërheq nga tregu 5,278 njësi të produkteve të qumështit

Ekonomi

​IQMT tërheq nga tregu 5,278 njësi të produkteve të qumështit

Më: 12 gusht 2026 Në ora: 22:34
Ilustrim

Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar edhe sot aksionin e inspektimeve në treg, me fokus të veçantë te produktet e qumështit dhe zbatimin e masave për mbrojtjen e konsumatorëve. Kështu njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila bën të ditur se përmes 8 ekipeve të inspektorëve, IQMT ka realizuar kontrolle në marketet e mëdha në regjionet e Mitrovicës, Prizrenit, Pejës, Prishtinës, Lipjanit dhe Shtimes.

“Gjatë kontrolleve janë evidentuar 7 produkte me mospërputhje, të përcaktuara në raportet zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat janë gjetur në raftet e operatorëve ekonomikë të inspektuar: Holla Barista 3.8%, 1 litër;Crem për pite Bylmeti; Holla Cooking Crem, 1 litër; Qumësht My Coë 3.2%, 1 litër; Mazë tradicionale Drena; Mazë tradicionale Milket dhe Krem për pite Bianco, 700 g”, thuhet në njoftim.

Sipas MINT-it, duke u bazuar në raportet zyrtare të AUV-së, nr. 4942, datë 27.07.2026, dhe nr. 5203, datë 10.08.2026, nga tregu gjatë ditës së sotme janë tërhequr 5,278 njësi të produkteve të lartcekura.

Gjithashtu, janë urdhëruar qendrat e operatorëve ekonomikë që kanë rrjete marketesh në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës që të largojnë nga shitja produktet e evidentuara në raportet e AUV-së

“IQMT do të vazhdojë monitorimin dhe inspektimin e tregut, ndërsa të gjitha produktet e qumështit për të cilat është evidentuar mospërputhje do të mbeten pjesë e listës së produkteve për tërheqje nga tregu. Lista do të publikohet dhe përditësohet çdo ditë për informimin e konsumatorëve, deri në përditësimin, plotësimin apo ndryshimin e raporteve zyrtare nga ana e AUV-së”, njofton MINT.

Më tej thuhet se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, mbetet e hapur për çdo ankesë apo raportim nga qytetarët që hasin në treg produkte të ndaluara për shitje nga AUV-së.

Ankesat, së bashku me dëshmitë përkatëse, mund të dorëzohen përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat