Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në takim është diskutuar për sektorët me potencial për rritje dhe zgjerim, si dhe për aktivitetet e përbashkëta që synojnë avancimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ministrja Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e forcimit të partneritetit strategjik dhe shumëvjeçar ndërmjet dy vendeve edhe në fushën ekonomike.
Ajo ka vënë në pah nevojën për rritjen e shkëmbimeve tregtare, nxitjen e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset kosovare dhe britanike.
Takimi synon të kontribuojë në identifikimin e mundësive konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e lidhjeve tregtare ndërmjet dy vendeve.