​KEK nis remontin vjetor të njësisë B2

Ekonomi

​KEK nis remontin vjetor të njësisë B2

Më: 4 maj 2026 Në ora: 12:15
Termocentrali Kosova B

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se, në përputhje me Bilancin Vjetor Energjetik (BVE), ka filluar zbatimi i remontit të rregullt vjetor 30-ditor njësisë B2 në Termocentralin Kosova B.

Sipas njoftimit, ky proces është pjesë e planifikimit të rregullt operativ dhe ka për qëllim mirëmbajtjen teknike, rritjen e sigurisë në operim dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të njësisë.

“Ndërkohë, siç është bërë e ditur edhe më herët, njësia B1 e TC Kosova B i është nënshtruar projekteve madhore të modernizimit, përfshirë ndërtimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, të cilat kanë filluar në muajin prill dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se pas përfundimit të këtyre investimeve, pritet të rritet ndjeshëm siguria e operimeve dhe të zgjatet jetëgjatësia e njësisë për rreth 20 vite.

Mbi të gjitha, do të sigurohet funksionimi në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat