Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, deklaroi sot se Kosova ka potencial të konsiderueshëm për të ndërtuar një sektor bujqësor konkurrues në rajon dhe në tregjet evropiane.
Ai këto komente i bëri në panelin “Promovimi i eksportit dhe qasja në tregje – Bujqësia”, organizuar nga GIZ Kosova, në kuadër të Forumit të tretë ekonomik gjermano-kosovar, ku prezantoi potencialin e bujqësisë së Kosovës dhe prioritetet për rritjen e prodhimit vendor, zëvendësimin e importeve dhe zgjerimin e eksporteve.
Muja nënvizoi se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon investime në të gjithë zinxhirin e vlerës, nga prodhimi primar bujqësor, te grumbullimi dhe përpunimi fillestar, përpunimi industrial dhe eksporti i produkteve me vlerë të shtuar.
“Synimi ynë është që Kosova jo vetëm të prodhojë më shumë produkte bujqësore, por edhe t'i grumbullojë, ruajë, përpunojë dhe eksportojë ato. Me investime të orientuara mirë dhe bashkëpunim me sektorin privat, brenda katër vjetëve të ardhshme mund të ndërtojmë zinxhirë konkurrues të prodhimit dhe përpunimit ushqimor”, tha ai.
Muja identifikoi si sektorë strategjikë prodhimin e mishit të viçit dhe të pulës, qumështin, pemëtarinë, perimet dhe drithërat, teksa në kuadër të orientimeve të ardhshme zhvillimore prezantoi tri fusha të ndërlidhura të investimeve: rritjen dhe modernizimin e prodhimit primar, zhvillimin e infrastrukturës së grumbullimit dhe përpunimit fillestar, si dhe zgjerimin e kapaciteteve të përpunimit industrial.
Po ashtu, ministri prezantoi gjithashtu pesë prioritetet kryesore të reformave institucionale: zhvillimin e kapaciteteve laboratorike dhe certifikuese për sigurinë ushqimore dhe eksportin; konsolidimin e tokës bujqësore; zgjerimin e sistemeve të ujitjes dhe përdorimin e farërave të certifikuara; riorganizimin e shërbimeve këshillimore për fermerët; si dhe digjitalizimin e shërbimeve të Ministrisë.
Duke folur për tregtinë rajonale, ministri Muja ngriti çështjen e barrierave me të cilat përballen prodhuesit kosovarë, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe zbatim të marrëveshjeve rajonale. Ai theksoi se përmbushja e standardeve evropiane, forcimi i certifikimit, investimet në arsimin profesional dhe aftësimi i fuqisë punëtore janë parakushte për rritjen e konkurrueshmërisë dhe zgjerimin e eksporteve.
Në përmbyllje, ministri Muja theksoi se transformimi i bujqësisë së Kosovës kërkon partneritet të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve, fermerëve, industrisë përpunuese dhe partnerëve ndërkombëtarë, me synimin që Kosova të kalojë nga prodhimi dhe eksporti i lëndëve të para drejt një ekonomie agro-ushqimore që prodhon, përpunon dhe eksporton produkte me vlerë më të lartë.