Vizita në Moskë e Borrellit ‘trazon’ BE-në, eurodeputetët i kërkojnë Ursula von der Leyen shkarkimin e tij

Evropë

Vizita në Moskë e Borrellit ‘trazon’ BE-në, eurodeputetët i kërkojnë Ursula von der Leyen shkarkimin e tij

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 10:56
Josep Borrell

Vizita e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në Rusi ka përfunduar.

Para se të largohej nga Moska, kreu i diplomacisë evropiane bëri homazhe për Boris Nemtsov, një figurë udhëheqëse e opozitës i vrarë gjashtë vjet më parë në zemër të qytetit.

Kjo u njoftua në një komunikatë për shtyp nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm.

Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të qetësuar polemikat që lindën pas takimit midis tij dhe ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, një takim në të cilin Borrell u shfaq shumë i butë në lidhje me çështjen e dënimit të kundërshtarit Alexey Navalny dhe respektimin e të drejtave të njeriut nga qeveria ruse.

Ai akuzohet se nuk ka reaguar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Lavrov ndaj sulmeve të nisura nga ministri rus ndaj BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas këtij takimi eurodeputeti estonez Riho Terras, nga grupi EPP i është drejtuar me një letër presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në të cilën kërkon dorëheqjen e Borrellit.

Në letrën, në të cilën Terras shprehet në shumës, duke sugjeruar se ka nënshkrues të tjerë, eurodeputeti thotë se është “jashtëzakonisht i shqetësuar nga zhvillimet poshtëruese” të vizitës së Borrell në Moskë, e cila “dëmtoi rëndë reputacionin e Bashkimit Evropian”.

Në letër pretendohet se vizita ishte ndërmarrë nga Borrell “me iniciativën e tij” dhe në të cilën ai tregoi “indiferencë ndaj krimeve të kryera nga regjimi Putin kundër kundërshtarëve politikë”.

Duke theksuar “mungesën e gjykimit” të Borrell dhe “paaftësinë e tij për të mbrojtur interesat dhe vlerat” e BE, Terras dhe nënshkruesit e tjerë të mundshëm i kërkojnë Von der Leyen të “veprojë” nëse Borrell “nuk jep dorëheqjen me vullnetin e tij”.

“Një katastrofë e diplomacisë evropiane”, një “tallje” nga Rusia, e cila tregon se Moska “nuk e merr seriozisht Brukselin si një lojtar botëror”.

Nona Mikhelidze, eksperte e Institutit të Punëve Ndërkombëtare thotë se Borrell dëshironte të shkonte në Moskë në bazë të strategjisë së “angazhimit selektiv”, të nisur në kohën e Federica Mogherinit, sipas së cilës, pavarësisht nga distancat, “ka domosdoshmërish zona në të cilat mund të bashkëpunojmë”.

Por një nga pikat e kësaj strategjie, kujton Mikhelidze, ishte forcimi i marrëdhënieve midis Evropës dhe shoqërisë civile ruse.

“Për të shpëtuar fytyrën, Borrell duhej të takonte shoqërinë e vërtetë civile, OJQ-të e vërteta, jo ato qeveritare. Nëse ai nuk mund të vizitonte Navalny në burg, të paktën ai mund të shihte aktivistët e fondacionit të tij”, vëren eksperti.

Lavrov, vëren Mikhelidze, mund të ishte treguar “mirënjohës” ndaj përfaqësuesit evropian, “i cili nuk dëgjoi vendet e BE armiqësore me Rusinë, nuk e anuloi vizitën, tregoi se ai donte t’i jepte rëndësi dialogut me Moskën, solli një mesazh i butë, nuk shkoi në sulm”.

Por, “në vend që të theksojë se sa e rëndësishme është gjithashtu për Rusinë të normalizojë marrëdhëniet me Brukselin”, Lavrov ka zgjedhur “ngacmimin” për të treguar se ai nuk dëshiron të marrë parasysh BE-në.

Kjo, vëren ekspertja, “tashmë ishte bërë e qartë” pas zgjedhjes së Presidentit të SHBA Joe Biden, kur udhëheqësi i Kremlinit, Vladimir Putin tha se donte të normalizonte marrëdhëniet me Uashingtonin, ndërsa “ai kurrë nuk tha, ne rusët mezi presim të normalizojmë marrëdhëniet me Brukselin”.

Moska, përfundon Mikhelidze, nuk e konsideron BE-në si një bashkëbisedues të vetëm, ajo dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Gjermaninë dhe Francën, “pjesa tjetër nuk llogaritet, ministria e jashtme, Kremlini, nuk e marrin seriozisht Brukselin si një lojtar botëror”. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat