Bjellorusia tregon dhëmbët e diktaturës, dy vjet burgim për gazetaret që raportuan nga protesta

Evropë

Bjellorusia tregon dhëmbët e diktaturës, dy vjet burgim për gazetaret që raportuan nga protesta

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 10:09
Foto ilustrim

Dy gazetare të televizionit Belsat janë dënuar me nga dy vjet burgim për shkak të raportimit drejtpërdrejt nga një protestë në Minsk nëntorin e kaluar.

Të enjten, gjykatësja Natallya Buhuk i dënoi gazetaret Katsyaryna Andreyeva dhe Darya Chultsova pasi i shpalli fajtore për, siç thuhet, organizimin e ngjarjeve publike me qëllim të pengimit të rendit civil.

Në deklaratën e tyre të fundit në gjykatë, gazetaret Andreyeva dhe Chultsova përsëri i mohuan akuzat, duke thënë se ato janë të motivuara politikisht, shkruan Free Europe.

Andreyeva e kërkoi lirimin e menjëhershëm për veten, kolegen e saj dhe të gjithë të burgosurit politikë në Bjellorusi. Dy gazetaret u arrestuan më 15 nëntor, përderisa ishin duke raportuar nga një tubim në Minsk.

Gazetaret thanë se morën pjesë në këtë protestë vetëm për ta kryer punën e tyre, kur u arrestuan nga forcat e sigurisë.

Organizatat bjelloruse për të drejtat e njeriut i kanë njohur këto dy gazetare si të burgosura politike dhe e kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, është në pushtet nga viti 1994. Ai e shpalli fitoren në zgjedhje vitin e kaluar, por opozita ka thënë se në garë ka pasur mashtrime. Shteti i Evropës Lindore më pas u përfshi nga protestat masive, ndërsa policia i ka shtypur me dhunë tubimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat