Ministrat e Brendshëm të 5 vendeve mesdhetare kërkojnë ndarje më të barabartë të barrës së emigrantëve

Evropë

Ministrat e Brendshëm të 5 vendeve mesdhetare kërkojnë ndarje më të barabartë të barrës së emigrantëve

Më: 21 mars 2021 Në ora: 10:54
Foto ilustrim

Ministrat e Brendshëm të 5 vendeve mesdhetare, në vijën e parë të përballjes me emigracionin në masë, kërkojnë nga partnerët e tyre në BE një ndarje më të barabartë të barrës.

Kërkesat e tyre janë tre: bashkëpunim më i mirë me vendet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë së Jugut, prej nga vijnë shumica e azilkërkuesve; më shumë vullnet nga vendet e tjera për të pranuar emigrantët që vijnë; dhe krijimin e një mekanizmi riatdhesimi të centralizuar e të mbikëqyrur nga Komisioni Evropian.

 “Ne nuk mund të ndëshkohemi më për pozitën tonë gjeografike. Nuk mund të lihemi të përballemi me ardhjet ilegale nga vendet e treta të vetëm. Nuk mund të ndëshkohemi më pse shpëtojmë jetë në mes të detit”, u shpreh Byron Camilleri, ministër i Brendshëm i Maltës.

“Duke rritur bashkëpunimin me vendet e origjinës dhe ato të tranzitit mund të shmangim ardhjet e paligjshme, si dhe të shmangim trafikimin e njerëzve dhe natyrisht humbjen e jetëve”, tha Fernando Grande Marlaska, ministër i Brendshëm i Spanjës.

Mbi 1 mijë persona protestuan në shenjë solidariteti me emigrantët dhe refugjatët në qendër të Athinës ditën e shtunë.

Protestuesit bënë thirrje për sigurinë, të drejtën e azilit dhe arsimimit për emigrantët, që shpesh herë ndërmarrin udhëtime të rrezikshme për të arritur Evropën.

Protesta përkoi me takimin në Greqi të ministrave të Brendshëm të 5 vendeve të Mesdheut, në vijën e parë të përballjes me ardhjet e emigrantëve në BE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat