Abazoviq reagon ashpër ndaj deklaratës së ministrit malazez rreth gjenocidit në Srebrenicë

Evropë

Abazoviq reagon ashpër ndaj deklaratës së ministrit malazez rreth gjenocidit në Srebrenicë

Më: 30 mars 2021 Në ora: 10:22
Dritan Abazoviq

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit malazez, Vladimir Leposaviq rreth gjenocidit në Srebrenicë.

Bëhet fjalë për deklaratat e ministrit malazez të Drejtësisë dhe të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviq, i cili kishte thënë të premten se do të pranonte që ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë vetëm kur t’i heq dyshimet rreth Tribunalit Ndërkombëtar të Drejtësisë.

Leposaviq i ishte referuar raportit të deputetit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Martyt.

“Tribunali i Hagës e ka humbur plotësisht legjitimitetin kur zhduki provat e raportuesit të Këshillit të Evropës për trafikimin e organeve të viktimave civile serbe në Kosovë”, kishte pretenduar Leposaviq.

Dhe lidhur me këtë, Abazoviq ka shkruar: “Gjenocidi ndodhi në Srebrenicë. Qeveria e Malit të Zi respekton të gjitha gjykimet dhe konventat ndërkombëtare. Nuk ka asnjë diskutim për këtë. Ai që nuk e kupton këtë, nuk ka vend në funksionet shtetërore. Le të shohim kah e ardhmja, kemi shumë punë për të bërë!”, ka shkruar Abazoviq në Twitter.

Ndryshe, edhe Bashkimi Evropian kishte hedhur poshtë dhe dënuar çdo mohim, relativizim ose keqinterpretim të gjenocidit të Srebrenicës.

Kështu ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez pas deklaratave të ministrit Leposaviq.

“Vitin e kaluar ne shënuam 25 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, një nga kapitujt më të errët në historinë moderne evropiane. Është koha që të gjithë udhëheqësit politikë në rajon të udhëheqin në rrugën e nderimit të viktimave dhe promovimin të pajtimit”, kishte thënë Pisonero. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat