Ky shtet do të paguajë turistët që vizitojnë vendin këtë verë

Evropë

Ky shtet do të paguajë turistët që vizitojnë vendin këtë verë

Më: 9 prill 2021 Në ora: 22:27
Maltë

Me synim për të ringjallur industrinë e saj të turizmit dhe të jetë më e preferueshme përpara shteteve rivale, Malta ka në plan t'u ofrojë vizitorëve të huaj pagesë deri në 200 euro nëse ata qëndrojnë të paktën tre ditë në ishullin Mesdhe këtë verë, njoftojnë mediat ndërkombëtare.

Ministri i Turizmit, Clayton Bartolo, ka njoftuar skemën të premten, duke thënë se me shumicën e kufizimeve të COVID-19 që pritet të hiqen deri më 1 qershor, turistët që rezervojnë pushime verore direkt përmes hoteleve vendase do të marrin pagesën.

Të dhënat e Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit tregojnë se industria turistike drejtpërdrejt dhe indirekt përbën më shumë se 27 për qind të ekonomisë së Maltës, por sektori është goditur nga pandemia COVID-19.

Vendi tërhoqi më shumë se 2.7 milionë vizitorë të huaj në vitin 2019 por shifrat kanë rënë me më shumë se 80% që kur virusi u shfaq në mars të vitit 2020.

Bartolo ka thënë se turistët që rezervojnë qëndrimin në një hotel me pesë yje do të marrin 100 euro nga Autoriteti i Turizmit i Maltës, ndërsa 100 të tjera do të kompensohen përmes hotelit.

Në një marrëveshje të ngjashme, ata që zgjedhin një hotel me katër yje do të marrin një total prej 150 euro dhe ata që rezervojnë një hotel me tre yje do të marrin 100 euro.

Granti rritet me 10 për qind kur rezervimet bëhen me hotele në ishullin më të vogël maltez të Gozo, tre kilometra në veri të vendit.

"Skema ka për qëllim vendosjen e hoteleve të Maltës në një pozicion shumë konkurrues ndërsa rinis turizmi ndërkombëtar", ka thënë Bartolo.

Pritet të përfitojnë rreth 35 mijë vizitorë.

Malta ka shkallën më të lartë të vaksinimit ndaj virusit në Bashkimin Evropian, pasi u ka dhënë të paktën një dozë 42 për qind të të rriturve.

Malta ka parë një rënie të ndjeshme të rasteve të reja COVID-19, me shkallën e pozitivitetit që ka rënë në 2.6 për qind, dhe qeveria ka kërkuar që BE të fusë pasaporta vaksinash për të lehtësuar udhëtimet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat