Krizë me punësimet sezonale, drejt falimentimit procesi për pajisjen me dokumenta të emigrantëve

Evropë

Krizë me punësimet sezonale, drejt falimentimit procesi për pajisjen me dokumenta të emigrantëve

Më: 14 prill 2021 Në ora: 17:45
Foto

Procesi i madh i legalizimit të dokumentave e punësimit sezonal për emigrantët në Itali është në fazë falimentimi.

Vonesa në marrjen e lejeve të qëndrimit ka përkeqësuar jetesën e mijëra emigrantëve në pritje të legalizimit të qëndrimit të tyre në Itali.

Sanatoria siç njihet nga autoritetet italiane mbylli afatin e dorëzimit të dokumentave më gusht të 2020 e deri sot ka rezultuar e pasuksesshme. 

Procesi i legalizimit e punësimit sezonal të emigrantëve të parregullt apo i emigrantëve që mundësohen të vijnë në Itali për punësim nga vende të tjera, mes të cilave dhe Shqipëria, ka vonesa të mëdha burokratike e ka vënë në vështirësi jetese mijëra persona që janë në pritje të marrjes së lejeve të qëndrimit në Itali. 

Disa mijëra shqiptarë kanë dorëzuar kërkesën për punësim sezonal e rregullim të lejeve të qëndrimit të tyre në Itali e janë ende në pritje të pajisjes me dokumenta.

Disa emigrantë shqiptarë kanë përcjellë shqetësimin se vonesa e marrjes së lejeve të qëndrimi i ka bërë të vështirë jetesën e  tyre në Itali. 

Nuk munden të hapin një llogari bankare, pasi janë të pajisur vetëm me një vërtetim provizor nga Prefektura italiane, nuk mundin të shkëmbejnë çeqet bankare të rrogës së tyre mujore, nuk munden të kenë një punë të rregullt të përhershme e kanë vështirësi dhe në asistencën sanitare të specializuar në raste emergjence shëndetësore. Mungesa e lejeve të qëndrimit i bën ata dhe viktimë të shfrytëzimin në punë nga pronarë që i paguajnë më pak se të tjerët apo i vonojnë rrogën mujore.

Sipas të dhënave të marra nga burimet e RTV Ora, ndër 207 mijë kërkesa të prezantuara në gusht të 2020, vetëm 5% e emigrantëve kanë arritur në fazën finale të procedurës.

Duke iu referuar statistikave që RTV Ora ka marrë nga Ministria e Brendshme Italiane, deri në 31 korrrik 2020, pra vetëm dy javë para mbylljes së afatit të fundit kohor të Sanatorias, ishin rreth 9000 mijë shqiptarë që kishin kërkuar rregullimin e lejeve të qëndrimit të tyre në sektorin e kujdestarisë në familje e asistencë e rreth 4 mijë në sektorin e bujqësisë e blegtorisë.

Dhjetra emigrantë kanë protestuar së fundmi përballë selive të Prefekturës në disa qytete italiane si Milano, Verona, Torino, Roma.

Vetëm pak orë më parë Ministria e Brendshme Italiane ka informuar se ka punësuar 171 punonjës të rinj për të shpejtuar procesin administrativ të dokumentacionit të dorëzuar nga emigrantët në sanatorian e gushtit 2020, të cilët i shtohen 328 punonjësve të tjerë të punësuar në 22 mars të 2021 e për këtë qëllim.

Është parashikuar që deri në fund të prillit 2021 të shkoj në 800 numri i të punësuarve në sportelet e dokumentacioneve për emigrantët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat