Itali, policia ndjek familjen nga Pakistani e dyshuar për vrasjen e bijës 18-vjeçare që refuzoi martesën me kushëririn

Evropë

Itali, policia ndjek familjen nga Pakistani e dyshuar për vrasjen e bijës 18-vjeçare që refuzoi martesën me kushëririn

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 17:59
Foto

Policia në Itali janë vënë në ndjekje të të afërmve të një vajze nga Pakistani, të cilën ata besojnë se është mbytur nga familja e saj dhe varrosur në një varr të cekët, në një prej episodeve të renda të njohura si “vrasje nderi”.

18 vjeçarja Saman Abbas është zhdukur prej 1 majit kur është parë për herë të fundit në kamera në një fermë pranë qytetit të Reggio Emilia, në Italinë qendrore, ku punonte babai i saj.

Policia thotë se Shabbar ka bashkëpunuar me nënën e Saman, Nazia Shaheen, 47 vjeçe, xhaxhanë Hasnain Danish, 33 vjeç, dhe kushërinjtë Nomanulhaq Nomanulahq e Ijaz Ikram, 33 e 28 vjeç, për vrasjen e vajzës dhe varrosjen e trupit të saj pranë fermës, para se ata të largoheshin të gjithë nga vendi.

Hetuesit italianë besojnë se të afërmit e vajzës realizuan komplotin e tyre kur Saman refuzoi martesën e planifikuar me një kushëri në Pakistan, duke u thënë se kishte një të dashur në Itali dhe dëshironte të jetonte në “stil perëndimor”.

Ijaz është arrestuar tashmë në Francë si i dyshuar për vrasje dhe është ekstraduar në Itali. Shabbar e Nazia janë në Pakistan dhe mohojnë vrasjen e bijës së tyre.

Vendndodhja e Hasnain – për të cilët thonë se ka organizuar detajet e vrasjes – si dhe e Nomanulhaq, nuk dihen ende.

Prokurorët thonë se çështja daton prej verës së vitit të shkuar, kur familja tentoi të detyronte bijën në një martesë me mblesëri në vendin e lindjes, Pakistan.

Saman ishte larguar nga shtëpia e saj dhe kishte shkuar në një azil të grave të abuzuara që menaxhohej nga shërbimet sociale, pasi trembej për jetën e saj.

Por ajo ishte kthyer në shtëpi në 11 prill të këtij viti, me sa duket për të marrë dokumentet e identifikimit, edhe pse nuk është e qartë se përse i nevojiteshin ato.

Policia thotë se në 26 prill familja kishte qenë e përgatitur për vrasjen pasi atë ditë xhaxhai Hasnain kishte blerë biletat e avionit për në Pakistan.

Ndërsa mbrëmjen e 29 prillit kamerat e sigurisë kishin kapur tre burra që besohet se ishin  Hasnain, Nomanulhaq e Ijaz duke punuar në dukje në fushën e fermës, rreth orës 7.30 të mbrëmjes.

Treshja mbanin dy lopata, një kovë, një qese blu e një hekur.

Një ditë më vonë Saman i kishte thënë të dashurit të saj se kishte dëgjuar padashje një bisedë në shtëpi, sipas së cilës të afërmit po përgatisnin vrasjen e saj.

I dashuri i Saman ka thënë për mediat se vajza kishte dëgjuar xhaxhanë e saj të thoshte se  vrasja është ‘e vetmja zgjidhje’ për vajzat që nuk i binden kodeve pakistaneze të nderit.

Policia thotë se në të tjera pamje të kamerave të sigurisë (të cilat nuk janë publikuar) shihen prindërit Shabbar e Nazia që ecin me bijën e tyre drejt fushave prapa fermës së tyre rreth mesnatës së 1 majit.

Çifti kthehet 13 minuta më vonë teksa babai Shabbar mbante çantën e shpinës që më herët e mbante Saman.

Policia beson se prindërit e kishin çuar vajzën fatkeqe Saman për ta dorëzuar te xhaxhai e kushërinjtë që prisnin në fushë, të cilët e kanë vrarë dhe varrosur diku në tokën e fermës.

Kur policia erdhi në shtëpi për të kontrolluar për Saman më 5 maj, ata gjetën aty Hasnain dhe vëllanë 16 vjeçar të Saman, të cilët thanë se familja kishte shkuar në Pakistan për të vizituar një të afërm të sëmurë, shkruan e përditshmja Corriere .

Edhe ata të dy më pas ishin zhdukur, por u ndaluan më 9 maj në kufirin me Francën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat