Mali i Bardhë në Itali nën monitorim për rrëshqitje të mundshme të akullnajave

Evropë

Mali i Bardhë në Itali nën monitorim për rrëshqitje të mundshme të akullnajave

Më: 13 gusht 2021 Në ora: 17:27
Mali i Bardhë

Një akullnajë e madhe në Alpet e Italisë është vënë në mbikëqyrje pasi autoritetet druajnë se ajo mund të shkëputet dhe të shembet si ortek në luginën poshtë saj.

Akullnaja e Planpincieux në anën italiane të Malit të Bardhë (4,809 m) ka regjistruar prej vitit 2013 të dhëna të larta të shkrirjes dhe dy vitet e fundit ka bërë që të ketë raste të shpeshta shkëputjesh të mëdha akulli.

Autoritetet lokale kanë ndaluar shtegtimet për në këtë pjesë të malit si dhe kanë shpërngulur një pjesë të banorëve që jetonin në luginën Val Ferret poshtë saj.

Paralelisht autoritetet po studiojnë edhe një bllok të madh akulli të quajtur Whymper, vendosur në akullnajën e “Grandes Jorases” mbi 4 mijë metra lartësi.

Ata monitorojnë me radarë lëvizjet e akullit në përpjekje për t’i paraprirë një katastrofe të mundshme.

Rrëshqitjet e akujve nuk janë të papërfillshme. Me zgjatjen e stinës së verës dhe rritjen e temperaturave, shkrirja e akullnajave në Malin e Bardhë është vënë re të jetë shtuar.

Masa më e madhe e shkrirë ka qenë deri në 150 centimetra në ditë. Kjo bën që akujt të zbuten dhe poshtë tyre të krijohet rrjedhë uji që i rrëshqet ata poshtë.

Tetorin e vitit të shkuar një masiv prej 15 mijë metrash katrorë u shkëput nga Whymper duke zbritur poshtë në qafën e malit.

Akullnaja e Planpincieux, që është më poshtë, ka një sasi më të madhe akulli të thërrmuar. Autoritetet druajnë se në rastin më ekstrem mbi 800 mijë metër kub akull mund të rrëshqasin në luginën poshtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat