Gjykata Evropiane vendos që Polonia të paguajë 1 milion euro në ditë

Evropë

Gjykata Evropiane vendos që Polonia të paguajë 1 milion euro në ditë

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 16:44
Gjykata Evropiane e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në Luksemburg, 26 janar 2017.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë e ka urdhëruar Poloninë që të paguajë një dënim prej 1 milionë euro në baza ditore për shkak se ka refuzuar të pezullojë funksionin e Dhomës Disiplinore të Gjykatës së Lartë.

Komisioni Evropian kërkoi gjobitjen muajin e kaluar pasi autoritetet polake nuk respektuan një vendim të mëparshëm të muajit korrik që urdhëronte pezullimin e menjëhershëm të aktiviteteve të dhomës.

"Përmes vendimit të sotëm zëvendëspresidenti i Tribunalit detyroi Poloninë të paguajë një dënim prej 1 milion euro në ditë, duke e llogaritur nga data në të cilën ky vendim i është dorëzuar Polonisë", tha Gjykata.

Ka kohë që Bashkimi Evropian dhe Polonia janë përfshirë në mosmarrëveshje në lidhje me reformat në gjyqësor të këtij vendi.

BE-ja thotë se ato e dëmtojnë pavarësisë e sistemit gjyqësor.

Ekspertët thonë se krijimi i Dhomës Disiplinore të Bashkimit Evropian është pjesë e përpjekjeve të nacionalistëve në pushtet për të shtuar kontrollin politik në sistemin e drejtësisë.

Varshava këmbënguli se masa ishte e nevojshme për të luftuar korrupsionin midis gjyqtarëve.

Mosmarrëveshjet mes BE-së dhe Polonisë arritën kulmin më 7 tetor kur Gjykata Kushtetuese e Polonisë vendosi që të hedhë poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE-së mbi legjislacionin kombëtar, në çështje të caktuara gjyqësore.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa nene të traktatit të BE-së nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Polonisë.

Dhe, sipas saj, gjykatësit polakë nuk duhet ta përdorin ligjin e BE-së për të vënë në dyshim pavarësinë e kolegëve të tyre.

Vendimi shkaktoi një kundërshtim të ashpër nga Brukseli dhe zyrtarë të lartë të BE-së i kujtuan Polonisë se "një nga shtyllat e BE-së është përparësia e ligjit të BE-së".

Vendimi nxiti edhe protesta pro-BE-së në Varshavë pasi ekzistojnë shqetësimet se Partia për Ligj dhe Drejtësi në pushtet mund të inicojë një Polexit, pra një dalje të vendit nga Bashkimi Evropian.

Polonia ka thënë se aktiviteti i Dhomës Disiplinore do të shfuqizohet si pjesë e reformave më të gjëra, por nuk ka paraqitur ende plane të detajuara.

Disa liderë të BE-së kanë kërkuar që blloku të kushtëzojë këtë vend anëtar me ndaljen e fondeve prej 36 miliardë dollarësh, mirëpo kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha se vendi i tij ishte "gati për dialog", dhe se nuk do të "vepronte nën presionin e shantazhit"./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat