Profil/ Gazetari i ekstremit të djathtë që po trondit presidencialet në Francë

Evropë

Profil/ Gazetari i ekstremit të djathtë që po trondit presidencialet në Francë

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 20:15
Eric Zemmour

Sipas një sondazhi të ri që bëri bujë në Francë kohët e fundit, Eric Zemmour, një shkrimtar konservator, opinionist që mbështet teorinë e zëvendësimit të popullatës, polemist pro regjimit kolaboracionist të Vishisë dhe se fundi kandidat për president, si përfaqësuesi i ekstremit të djathtë në Francë, mund të marrë 17 për qind të votave, nëse do të garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ku sipas të gjitha gjasave do të jetë kandidat. Zemmour, autor i njohur librash politikë dhe historikë ka shndërruar në best seller me mbi 400 mijë kopje të shitura essenë e tij të nxjerrë në treg para pak kohësh: “Franca nuk e ka thënë fjalën e saj të fundit”.

Aty ai shkruan: “Individualizmi, i lindur katër shekuj më parë, në kufirin mes Rilindjes italiane dhe Protestantizmit gjerman, po mbërrin në finish të vrapimit të vet: ai i ka shndërruar kombet tona të vjetra në shoqëri individësh të frikësuar dhe kapriçiozë, të cilët kërkojnë nga shteti t’u njohë ndjeshmëritë dhe ndjenjat e tyre të brishta.

Nga ana tjetër, qytetërimi islamik po dominon në trojet evropiane, me një diasporë gjithnjë e më të madhe në numër, e cila imponon zakonet, ligjet, imagjinatat, emrat e tyre, sipas modelit të një logjike kolonizuese. 

Këto dy lëvizje mishërojnë dy këndvështrime të kundërta për botën: E para, emancipimin dhe çlirimin nga të gjitha rregullat dhe zakonet. E dyta nënshtrimin ndaj një Zoti hakmarrës.

Një ditë, së shpejti, ato do të ndeshen përdhunshëm dhe ne mundemi të supozojmë se mbretërimi i Nënshtrimit do ta dërrmojë brutalisht atë të Lirisë. Ndërkohë që, ata që të dy janë aleatë kundër të njëjtit armik: popullit francez, zakoneve, historisë, shtetit, qytetarisë dhe civilizimit që ai përfaqson. Kjo është e ngjashme me paktin gjermano- sovjetik gjatë luftës së dytë botërore”.

Ai e kanë vënë veten në qendër të debatit shoqëror dhe politik në Paris dhe Franca po mban frymën për të pritur kandidimin e tij zyrtar për garën presidenciale. Lapsi.al po boton një portret të këtij fenomeni të errët…

Image

I njohur që nga fillimi i viteve 2000 për paraqitjet e tij televizive dhe për rubrikën e tij të rregullt në gazetën konservatore “Le Figaro”, Zemmour është shndërruar aktualisht në një lojtar të rëndësishëm në një lojë politike, të cilën ai shpreson që ta destabilizojë - megjithëse mbetet e paqartë nëse do të garojë apo jo në presidencialet e prillit të vitit të ardhshëm.

Megafoni i tij politik ka qenë “C News”, një kanal televiziv me ndikim, i mbështetur nga miliarderi Vincent Bolloré, pronar i konsorciumit “Vivendi”. Edhe pse programet e tij më popullore nuk tërheqin zakonisht më shumë se 800.000 shikues, “CNews” e ka dyfishuar audiencën gjatë 4 viteve të fundit, duke e vendosur atë në vendin e dytë midis 4 televizioneve më të rëndësishme informativë në Francë.

Modeli i biznesit i kompanisë, kombinon mbulimin e lajmeve në kohë reale me komente dhe debate që tentojnë të thjeshtëzojnë çështje komplekse, duke shfaqur shpesh pozicione ekstreme. Çelësi i suksesit të fundit të “CNews” dhe Eric Zemmour, është se ata kanë përvetësuar një leksion nga Donald Trumpi ekstremist dhe provokues.

Për shembull, shpërthimi i fundit i Zemmour, ishte thirrja për ndalimin e emrave “të huaj” si për shembull Mohammed. Ndërsa e djathta ekstreme franceze ka qenë tejet e fiksuar gjatë 30 viteve të fundit me Islamin, emigracionin, dështimet në arsim dhe rënien e pretenduar të qytetërimit francez, retorika ekstremiste e Zemmour i ka nxjerrë në plan të parë këto çështje.

Dhe termi “ekstremist” nuk është aspak një ekzagjerim. Zemmour është dënuar dy herë vitet e fundit për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e dhunës racore. Ai e vë theksin tek të njëjtat tema të nxehta në librin e tij të ri “La France n’a pas dit son dernier mot (Franca nuk e ka thënë ende fjalën e saj të fundit).

Duke ngatërruar Islamin me Islamizmin, ai shpreson që ta stigmatizojë të gjithë këtë besim fetar, duke nxitur kundërshtimin ndaj emigracionit. Ai pretendon se emigrantët myslimanë do të dominojnë banorët vendas të Evropës, dhe se “islamizimi i rrugëve të qytetit” nga “kolonizatorët” e rinj, kërcënon mbijetesën e kombit francez.

“Asnjë qytet i vogël, asnjë fshat në Francë nuk është i sigurt nga grupimet e egra të çeçenëve, kosovarëve, magrebianëve apo bandave afrikane që vjedhin, përdhunojnë, plaçkitin, torturojnë dhe vrasin”- shkruan ai. Nuk është për t’u habitur pse Zemmour e shtrembëron haptazi historinë.

Ai pretendon se regjimi i Vishisë që bashkëpunoi me nazistët, “i mbrojti hebrenjtë francezë” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mizogjinia dhe homofobia e tij agresive, janë po aq të ashpra. Zemmour dëshiron që këto tema të jenë në qendër të debatit në zgjedhjet presidenciale pranverën e ardhshme.

Rregullatori francez i transmetimeve televizive, Këshilli i Lartë i Transmetimeve Audiovizive (CSA), ka vendosur që ta trajtojë tashmë atë si një kandidat, duke monitoruar kohën e tij televizive, në mënyrë që të mos pretendojë më shumë se kandidatët e tjerë.

Fenomeni “Zemmour”, po shqetëson jo pak partitë politike franceze në të gjithë spektrin politik, por jo për të njëjtat arsye. Më e shqetësuar është sigurisht Marine Le Pen, pasi ajo shpreson të jetë kandidatja që do të përfaqësojë të djathtën ekstreme.

Tradicionalisht, vota e protestës në Francë është ndarë mes populistëve dhe abstenuesve dhe të paktën deri në zgjedhjet e 2017-ës, kjo tendencë e favorizoi në përgjithësi partinë e saj. Për ta paraqitur veten si një kandidate legjitime presidenciale në vitin 2017, Le Pen e moderoi mesazhin e partisë dhe u distancua nga babai i saj Jean Marie Le Pen (themeluesi dhe ish-udhëheqësi i partisë), si dhe nga retorika e tij reaksionare, raciste dhe anti- semite.

Një vit më pas, ajo ndryshoi edhe emrin e partisë. Por moderimi nuk është pritur mirë nga pjesa më e madhe e bazës së saj të mbështetësve, një pjesë e konsiderueshme e së cilës ka kaluar me Zemmour. Një sondazh i bërë publik më 28 shtator, tregoi se mbështetja për Le Pen ishte rreth 16 për qind, nga 28 për qind në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017.

Ngritja e Zemmour po shihet po ashtu me shqetësim nga partia tradicionale e qendrës së djathtë, Les Républicains (Republikanët). Ndërsa shumë konservatorë francezë do ta kishin bezdi të votonin për Tubimin Kombëtar për shkak të së kaluarës së tij anti- semite, ata mund të shohin tek Zemmour, një hebre sefardik, një zëdhënës të pranueshëm të pozicionit të së djathtës bashkëkohore mbi emigracionin.

Por Zemmour është paraqitur gjithashtu edhe si një kampion i Golizmit, duke trajtuar 3 nga temat e preferuara të Charles de Gaulle: pavarësinë kombëtare, politikën sociale dhe idenë e Francës së krishterë. Duke luajtur në kufijtë fluidë midis të djathtës dhe të djathtës ekstreme, ai po merr vota nga Republikanët, gjë që Le Pen as që mund ta kishte shpresuar ndonjëherë.

Por ndërsa një kandidim i Zemmour mund ta dëmtojë të djathtën, ai edhe mund t’i shërbejë asaj. Nëse Zemmour e zvogëlon peshën e Le Pen në zgjedhjet e afërta, një tjetër kandidat i krahut të djathtë, si Xavier Bertrand, favorit në sondazhe, mund të mbizotërojë si sfidues i presidentit aktual Emmanuel Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Macron do të kishte shumë më tepër arsye të ishte i shqetësuar në një balotazh kundër Bertrand, një kandidat që mund të kërkojë një mbështetje të gjerë, përfshirë votuesit e majtë dhe centristë, të cilët duan të parandalojnë me çdo kusht një mandat të dytë të Macron.

Po ashtu Macron mund të dëmtohet jo pak edhe nga efekti negativ, që do të kenë në debatin e përgjithshëm temat e ekstremit të djathtë. Ai do të dëshirojë të nxjerrë në pah arritjet e tij ekonomike dhe sociale, reformat e tij në sistemin arsimor dhe bindjet e tij pro- evropiane. Por kjo nuk do të jetë e lehtë, kur bën fushatë kundër një kundërshtari, që mban në gojë vetëm çështjen e ”Islamit” dhe “emigrimin”.

Mbetet për t’u parë nëse Zemmour do të kandidojë apo jo. Disa analistë dyshojnë nëse ai mund të ketë mbështetjen e nevojshme të të paktën 500 kryebashkiakëve që duhet të nënshkruajnë për të siguruar kandidimin zyrtar. Por për 17 për qind të votuesve francezë, që mbështesin kandidaturën e tij, këto çështje nuk mund të injorohen.

Një pjesë e konsiderueshme e publikut, është qartazi e zhgënjyer nga figurat që ka prodhuar vitet e fundit elita politike franceze. Çfarëdo që të vendosë të bëjë Zemmour, ai bashkë me “CNews” dhe media të tjera të krahut të djathtë, e kanë ndryshuar debatin, duke detyruar të gjithë kandidatët që të fokusohen tek emigracioni dhe kriminaliteti në vend.

Edhe Macron është detyruar që t’u përshtatet rrethanave, dhe kjo shihet për shembull në vendimin e tij për të vendosur kufizime të rrepta mbi autorizimet e vizave për shtetasit marokenë, algjerianë dhe ata tunizianë. Pa u bërë ende kandidat, Zemmour është tashmë një forcë me ndikim në zgjedhjet e vitit të ardhshëm./ Nga Benedikt Berner - “Project Syndicate”

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat