350 ushtarë bullgarë në kufi me Turqinë shkaku i emigrantëve

Evropë

350 ushtarë bullgarë në kufi me Turqinë shkaku i emigrantëve

Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 22:02
Foto ilustrim

Ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Georgi Panajotov ka njoftuar se vendi i tij sot ka dërguar rreth 350 ushtarë në kufi me Turqinë, për të ndihmuar forcat policore që të përballen me fluksin në rritje të migrantëve.

Gjatë këtij viti më shumë se 6.500 njerëz kanë kaluar në mënyrë joligjore kufirin mes Turqisë dhe Bullgarisë. Shifra është trefish më e lartë se periudha e njëjtë e vitit 2020.

Ushtarët arritën sot në kufirin bullgaro-turk për të mbështetur policinë kufitare”, tha Panajotov për kanalin privat BTV.

Bullgaria është një nga rrugët kryesore të cilën migrantët nga Lindja e Mesme e shfrytëzojnë për të hyrë në BE. Bullgaria ka ndërtuar një gardh me gjemba në kufirin me Turqinë, por ai është pjesërisht i dëmtuar.

Gjatësia e kufirit mes dy vendeve është 259 kilometra. Në muajin gusht Parlamenti i Bullgarisë pati miratuar dërgimin e 400 deri 700 ushtarëve në kufi me Greqinë dhe Turqinë.

Bullgaria është shteti më i varfër anëtar i Bashkimit Evropian andaj migrantët nuk synojnë të ndalen aty, por të kalojnë në vendet tjera të pasura të BE-së.

Vendet e BE-së kanë frikë se mund të ketë një fluks migrantësh nga Afganistani që kur talebanët morën kontrollin e vendit më 15 gusht.

Turqia, e cila nuk është anëtare e BE-së, është gjithashtu e shqetësuar për një valë të re migrimi në Evropë.

Turqia strehon gati 4 milionë refugjatë sirianë dhe 300.000 afganë, përveç migrantëve dhe refugjatëve nga pjesë të tjera të botës.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më herët se Turqia nuk e ka përgjegjësi të jetë “depo e refugjatëve në Evropë”.

Ndryshe, BE ndihmon me miliarda dollarë Turqinë për të ofruar strehim për migrantët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat