Raportohet se rreth 200 migrantë kanë tentuar të kalojnë kufirin Poloni-Bjellorusi

Evropë

Raportohet se rreth 200 migrantë kanë tentuar të kalojnë kufirin Poloni-Bjellorusi

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 13:59
Migrantë në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë.

Rreth 200 migrantë kanë tentuar të kalojnë ndalesën gjembore në pikën kufitare mes Polonisë dhe Bjellorusisë më 24 nëntor, ka thënë Garda Kufitare polake.

Brukseli ka akuzuar Bjellorusinë se po tenton të destabilizojë Bashkimin Evropian, duke marrë mijëra burra, gra dhe fëmijë nga Lindja dhe Mesme, dhe duke i shtyrë më pas drejt kufijve të BE-së, përmes Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë.

Veprimet e Minskut janë parë si hakmarrje për sanksionet e vendosura nga BE-ja ndaj regjimit të Alyaksandr Lukashenkas, pas shtypjes brutale të opozitës, e cila beson se lideri autoritar ka manipuluar zgjedhjet e mbajtura në gusht të vitit të kaluar.

Incidenti i fundit afër fshatit Czeremça është pjesë e përleshjeve ditore në mes të migrantëve dhe forcave kufitare.

“Ata kanë tentuar të kalojnë kufirin, të sulmojnë kufirin”, ka thënë zëdhënësja e Gardës Kufitare, Anna Michalska, më 25 nëntor.

“Ata kanë hedhur gurë dhe tentimet e tyre janë bllokuar nga zyrtarët tanë”.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se janë duke bërë gati pakon e pestë të sanksioneve kundër Bjellorusisë pas atij që e konsiderojnë si “sulm hibrid” ndaj bllokut.

Pas rritjes së tensioneve, autoritetet bjelloruse kanë pastruar kampet e migrantëve një javë më parë në zonën kufitare dhe u kanë mundësuar disa migrantëve nga Iraku që përmes fluturimeve të kthehen në vendlindje./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat