Familjet turke në vështirësi mes rritjes së çmimeve të produkteve bazë

Evropë

Familjet turke në vështirësi mes rritjes së çmimeve të produkteve bazë

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 20:17
Inflacioni në Turqi

Normat e larta të inflacionit kanë vënë në vështirësi shumë qytetarë turq, që përballen çdo ditë me një kosto të lartë jetese. Rënia në nivele rekord e lirës turke dhe rritja e çmimeve kanë ndikuar negativisht tek mbështetja për Presidentin Recep Tayyp Erdogan përpara zgjedhjeve që mbahen në qershor të vitit 2023. Disa familje po detyrohen të bëjnë sakrifica për të siguruar jetesën. Ju njohim me një prej tyre.

Esat Çeliku, i cili punon në ndërtim, përpiqet të plotësojë nevojat e tre fëmijëve të tij të vegjël, si dhe të mbulojë pagesat e kredisë së apartamentit të tij në Stamboll.

Si shumë turq, 32-vjeçari dhe familja e tij e re po përballen me një rritje të kostos së jetesës. Inflacioni është rritur me rreth 50%, pas një rënieje të fortë të monedhës turke, nxitur nga një politikë jotradicionale e Presidentit Tajip Erdogan, ajo e normave të ulëta të interesit.

Esatit i është dashur të aplikojë për ndihmë në bashkinë e qytetit, në programet që mbështesin familjet e goditura nga masat kufizuese për shkak të koronavirusit. Ai ka dorëzuar faturat për pagesat e kryera për shërbimet e domosdoshme, të cilat vitin e fundit janë dyfishuar.

“I ndjejmë vështirësitë. Kam tre fëmijë dhe e kam të vështirë t'u plotësoj nevojat që kanë. Bleva shtëpi me kredi dhe e kam të vështirë të paguaj këstet, për shkak se fëmijët e mi kanë nevojë për ushqim e kujdes”, thotë ai.

Rënia në nivele rekord e lirës turke dhe rritja e çmimeve kanë ndikuar negativisht tek sondazhet që tregojnë mbështetjen ndaj Presidentit Erdogan përpara zgjedhjeve që mbahen në qershor të vitit 2023. Qeveria thotë se kreditë, eksportet dhe investimet do të ndihmojnë vendin të përballojë inflacionin.

Esati thotë se pelenat për fëmijët dhe qumështi që blen në dyqan për djalin e tij të porsalindur kushtojnë dy herë më shumë sesa një vit më parë. Familja e tij varet nga paratë që ai fiton, por Esati tashmë po has vështirësi të gjejë punë.

Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu thotë se aplikimet në programin e mbështetjes të institucionit që ai drejton janë dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, pavarësisht heqjes së masave kufizuese të lidhura me pandeminë. Në tre javët e para të vitit 2022 u regjistruan më shumë se 30,000 kërkesa për ndihmë.

"Paga minimale u rrit me rreth 50%. Ky mund të shihet si një zhvillim pozitiv, por fatkeqësisht numri i faturave të dorëzuara në sistem është mbi 31 mijë. Vitin e kaluar ishte mbi 15 mijë, pra është dyfishuar".

Çmimi i energjisë elektrike është rritur me 125% për bizneset dhe rreth 50% për konsumatorët familjarë. Po kështu edhe çmimi i gazit është rritur me 25% për konsumatorët familjarë.

Bashkëshortja e Esatit, thotë se ata janë detyruar të heqin shumë produkte nga vaktet e tyre për të ushqyer fëmijët.

"Po hamë më pak për të blerë qumësht per djalin. Ai është foshnje dhe është ai që duhet të ushqehet fillimisht”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat