Nënkryetari i Mariupolit: S’ka ushqim për fëmijët, njerëzit po vdesin për ujë e bukë

Evropë

Nënkryetari i Mariupolit: S’ka ushqim për fëmijët, njerëzit po vdesin për ujë e bukë

Më: 26 mars 2022 Në ora: 20:32
Mariupol

Nënkryetari i qytetit të pushtuar ukrainas, Mariupol, ka thënë se qytetarët kanë nisur të vdesin si pasojë e urisë dhe dehidrimit, pasi që furnizimet me ushqim dhe ujë po harxhohen ndërkohë që ndihmat humanitare nuk lejohen nga rusët.

“Disa po vdesin nga dehidrimi dhe mungesa e ushqimit. Disa nga mungesa e ilaçeve, insulinës… sepse s’ka ndihmë mjekësore”, ka thënë nënkryetari Sergey Orlov për BBC-në.

“Disa nëna nuk kanë as qumësht e as ushqim për fëmijët e tyre. Çfarë duhet të bëjnë me foshnjat e tyre? Nuk e di. S’ka fare ushqim për fëmijët në qytet”, ka thënë Orlov me shqetësim.

Mariupoli ka përjetuar sulme shkatërruese nga forcat ruse që nga ditët e para të luftës. Fotografitë që tregojnë rrënojat e lagjeve të tëra, dëshmojnë tragjedinë që i ka ndodhur qytetit.

70% e spitaleve janë shkatërruar si pasojë e bombardimeve si dhe komunikimi është i vështirë, pasi që rrjeti telefonik është ndërprerë. Banorët kalojnë shumicën e kohës së tyre në strehimore apo bodrume, pa rrymë, ujë e gaz.

“Njerëzit kërkojnë mundësi për të mbijetuar. Ata po i japin ushqime njëri-tjetrit dhe po mbledhin drunj nëpër rrugë për të gatuar në rrugë”, ka thënë Orlov. Sipas vlerësimeve, më shumë se 100 mijë qytetarë kanë mbetur të kurthuar në këtë qytet.

Një pjesë e konsiderueshme e banorëve ia kanë arritur të ikin nga qyteti me automjetet e tyre private.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat