Suedia dhe Finlanda do t’i kërkojnë nesër Turqisë mbështetje për anëtarësimin në NATO

Evropë

Suedia dhe Finlanda do t’i kërkojnë nesër Turqisë mbështetje për anëtarësimin në NATO

Më: 13 maj 2022 Në ora: 21:04
Ilustrim

Suedia dhe Finlanda planifikojnë të zhvillojnë bisedime me Turqinë nesër në Berlin, pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kundërshton hyrjen e tyre në NATO, thanë ministritë e tyre të jashtme.

Ministrja suedeze, Ann Linde do të ketë mundësinë të diskutojë një kandidaturë të mundshme suedeze me një homolog turk në një takim të planifikuar jozyrtar të ministrave të NATO-s në të cilin janë ftuar Suedia dhe Finlanda, tha ajo në një deklaratë për agjencinë franceze të lajmeve.

“Shpresoj se do të marrim mesazhe pozitive nga të tridhjetë anëtarët e NATO-s. Shumë nga tridhjetë aleatët kanë shprehur publikisht mbështetjen për Suedinë dhe Finlandën,” tha ajo.

“Qeveria turke nuk na ka dërguar një mesazh të tillë drejtpërdrejt”, shtoi Linde.

Në një konferencë shtypi në Helsinki në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto tha gjithashtu se donte të “vazhdonte bisedimet” me ministrin turk Mevlut Cavusoglu.

“Unë mendoj se ne kemi nevojë për durim në këtë proces dhe se nuk mund të bëhet brenda një dite (…) Le të veprojmë hap pas hapi”, tha ai, duke kujtuar se Finlanda ende nuk e ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën e saj.

Për anëtarësimin e anëtarit të ri në Aleancë nevojiten votat e të gjitha vendeve, gjë që e vendos Turqinë në pozicionin për të bllokuar kandidaturat e dy vendeve nordike, të cilat priten në ditët në vijim.

Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të ishte një “gabim”, siç ishte pranimi i Greqisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, tha sot presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat