​ECB pret ngadalësim të ndjeshëm të aktiviteteve të biznesit në Eurozonë

Evropë

​ECB pret ngadalësim të ndjeshëm të aktiviteteve të biznesit në Eurozonë

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 21:15
Christine Lagarde

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Christine Lagarde, deklaroi sot në Parlamentin Evropian se perspektiva ekonomike në Eurozonë po bëhet "më e zymtë" dhe se, sipas pritjeve të saj, aktiviteti i biznesit do të "ngadalësohet ndjeshëm" në muajt e ardhshëm, duke qenë se çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve, të nxitura nga lufta në Ukrainë, ulin fuqinë blerëse të konsumatorëve.

Skenari bazë që ECB-ja i përmbahet është parashikimi i rritjes ekonomike të reduktuar, tha Lagarde, por ajo shtoi se disa supozime mbi të cilat bazohet ai parashikim, siç janë rezervat e mbetura të gazit rus, "kapërcehen nga ngjarjet".

Presidentja e ECB-së tha gjithashtu se viti i ardhshëm "sigurisht do të jetë i vështirë" dhe se tre muajt e parë 2023 "me siguri do të jenë negativë", duke pasur parasysh se ECB beson "se tremujori i katërt 2022 do të jetë gjithashtu negativ".

Dy tremujorë radhazi të rezultateve negative ekonomike konsiderohen si recesion dhe shumë ekonomistë parashikojnë se Eurozona do të hyjë në recesion në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, Lagarde tha se sipas skenarit bazë të ECB-së, rritja nuk do të kthehej negative, por se një skenar shumë më i errët dhe i rastit më të keq do të përfshinte një recesion në vitin 2023. Sipas atij skenari më të keq, Rusia do të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz natyror në Evropë.

Sipas saj, skenari bazë, i bërë përpara se Rusia të ndërpresë furnizimin me gaz në Gjermani përmes gazsjellësit Nord Stream 1, parashikonte një rritje prej 0.9 për qind vitin e ardhshëm, ndërsa një parashikim më i errët tregon një rënie prej 0.9 për qind.

Ajo tha se parashikimi i saj personal është se numrat aktualë do të jenë "diku në mes" dhe se më shumë do të dihet kur ECB të publikojë parashikimet e saj të reja në dhjetor.

Lagarde u bëri thirrje qeverive në eurozonë që të drejtojnë programet e ndihmës ekonomike për ata që kanë më shumë nevojë për të dhe shtoi se shpërndarja e tepërt nuk do të ndihmojë në frenimin e inflacionit.

Kompania ruse Gazprom, e cila menaxhon dërgimin e gazit natyror në Evropë, ka reduktuar në mënyrë të vazhdueshme rrjedhën e kësaj energjie dhe tani është vetëm një pjesë e vogël e sasive që u dërguan përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën.

Zyrtarët evropianë besojnë se reduktimi i fluksit të gazit përfaqëson shantazh energjetik me qëllim tërheqjen e mbështetjes për Ukrainën dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Një pjesë e gazit rus ende rrjedh në Evropë përmes tubacioneve që kalojnë përmes Ukrainës dhe Turqisë.

Evropa është më e ekspozuar ndaj pasojave ekonomike të luftës në Ukrainë sesa ekonomitë e tjera globale si SHBA dhe Kina, për shkak se Evropa është mbështetur te Rusia si furnizuesi kryesor i saj i naftës dhe gazit për dekada të tëra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat