Gazsjellësi i ri në Bullgari, mundësi për të ulur varësinë nga importet ruse

Evropë

Gazsjellësi i ri në Bullgari, mundësi për të ulur varësinë nga importet ruse

Më: 1 tetor 2022 Në ora: 16:57
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, duke folur në ceremoninë inauguruese të gazsjellësit të ri Bullgari-Greqi.

Një tubacion i ri i gazit natyror nga Greqia në Bullgari është funksionalizuar më 1 tetor. Futja në funksion e këtij gazsjellësi shënon një hap të rëndësishëm drejt largimit nga varësia e importeve ruse të energjisë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që ishte në Sofje për këtë ngjarje, tha se tubacioni i gazit i Ndërlidhjes Greqi-Bullgari do të ndihmojë në kufizimin e aftësisë së Moskës për të ushtruar presion ndaj anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera.

“Ky gazsjellës ndryshon situatën e sigurisë energjetike për Evropën”, tha ajo. “Ky projekt do të thotë liri”, shtoi von der Leyen.

Ceremonia inauguruese u organizua nga presidenti bullgar, Rumen Radev, dhe në të morën pjesë edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitostakis. Po ashtu të pranishëm ishin edhe presidenti i Serbisë dhe i Maqedonisë së Veriut, por edhe kryeministri i Rumanisë.

Projekti fillimisht u konceptua më 2009, kur Rusia në mënyrë të njëanshme ndërpreu transportimin e gazit përmes Ukrainës, duke e lënë Bullgarinë dhe shtetet e tjera të rajonit pa gaz për një javë.

Ky projekt u bë edhe më i rëndësishëm në fund të prillit, kur Moska ndërpreu furnizimet me gaz për Bullgarinë, pasi Sofja refuzoi kërkesën që të paguante për dërgesat e gazit me rubla ruse.

“Qytetarët në Bullgari dhe në mbarë Evropën po përjetojnë pasojat e luftës së Rusisë [kundër Ukrainës]”, tha von der Leyen. “Por, falë projekteve si ky, Evropa do të ketë gaz të mjaftueshëm për dimër”.

“Evropa ka gjithçka që i duhet për t’u shkëputur nga varësia ruse”, shtoi ajo dhe tha se “por, kjo është çështje e vullnetit politik”.

Gazsjellësi prej 182 kilometrash lidhet me tubacionin e Trans-Adriatikut, që transporton gaz natyror nga Azerbajxhani. Fillimisht ishte planifikuar që të ofronte deri në 3 miliardë metër kub gaz në vit, por kjo sasi mund të zgjerohet deri në 5 miliardë në të ardhmen.

“Furnizimet me gaz natyror nga Azerbajxhani në Bullgari do të shkatërrojë kontrollin e fortë rus në rajon”, tha Mitsotakis. Ai i bëri thirrje BE-së që të ngrihet “kundër shantazhit me gazin rus”.

Drejtori bullgar i projektit, Teodor Georgieva, tha se tubacioni i ri do t’i mundësojë Bullgarisë që të ndihmojë me furnizimin "me gaz të Ballkanit Perëndimor” dhe “të sigurojë edhe furnizime për Moldavinë dhe Ukrainën”./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat