Pas sulmeve mbi infrastrukturën, Ukraina i kërkon komunitetit ndërkombëtar reagim të fortë ndaj Rusisë

Evropë

Pas sulmeve mbi infrastrukturën, Ukraina i kërkon komunitetit ndërkombëtar reagim të fortë ndaj Rusisë

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 20:07
Ukraina

Zyrtarët e Ukrainës i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë të veprojë ndaj Rusisë pas sulmeve mbi infrastrukturën ukrainase.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmitro Kuleba reagoi në Twitter të enjten duke shkruar se Rusia “po kryen sulmin më barbar dhe frikacak ndaj civilëve të paarmatosur”.

Komentet e tij erdhën pas deklaratave të djeshme të Presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski përmes një videoje përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zoti Zelenski tha se raketat ruse goditën spitalet, shkollat, infrastrukturën e transportit dhe zonat e banuara, duke shtuar se Ukraina po pret të shohë “një reagim shumë të fortë” nga bota.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasili Nebenzia, hodhi poshtë ato që i cilësoi “kërcënime dhe ultimatume të pamatura” nga Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë.

Në qytetin perëndimor të Lviv, pranë kufirit me Poloninë, kryebashkiaku tha se i gjithë qyteti kishte humbur energjinë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se termocentrali bërthamor në Zaporizhzhya i Ukrainës, më i madhi i Evropës, mbeti pa energji elektrike dhe se përdori gjeneratorë me naftë për të kryer funksionet kryesore për ruajtjen e sigurisë bërthamore.

Teksa sulmet mbi infrastrukturën ukrainase vazhdojnë , Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan një paketë të re ndihme prej 400 milionë dollarësh që përfshin armë, pajisje të mbrojtjes ajrore dhe gjeneratorë. Deri tani administrata e Presidentit Biden ka dhënë 19.7 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, ushtria e së cilës po lufton prej nëntë muajsh me forcat ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat