Sondazhet: Gjukanoviq dhe Millatoviq drejt balotazhit në garën për president

Evropë

Sondazhet: Gjukanoviq dhe Millatoviq drejt balotazhit në garën për president

Më: 19 mars 2023 Në ora: 22:35
Foto ilustrim

Qytetarët e Malit të Zi kanë votuar të dielën për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ka shkuar në 63.6 për qind.

Sipas sondazheve, presidenti veteran i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, do të përballet në balotazh me ish-ministrin e Ekonomisë, Jakov Millatoviq, më 2 prill.

Sondazhet tregojnë se asnjëri prej shtatë kandidatëve në garë nuk kanë arritur të fitojnë 50 për qind të votave.

Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CEMI) ka parashikuar se Gjukanoviq do të fitojë më së shumti vota, dikur rreth 35.5 për qind.

Ish-ministri Millatoviq, ekonomist pro-evropian, parashihet të fitojë 28.8 për qind të votave, derisa Andrija Mandiq, politikan pro-rus dhe pro-serb, pritet të fitojë diku rreth 19.2 për qind të votave.

Rezultati zyrtar nuk pritet të publikohet disa ditë, për shkak të shqyrtimit të ankesave.

Gjukanoviq ka shërbyer si president ose kryeministër i Malit të Zi për 33 vjet.

Pas votimeve, më herët gjatë ditës, ai u ka thënë gazetarëve se zgjedhjet ofrojnë mundësi që “Mali i Zi të konfirmojë se mund të jetojë në stabilitet politik dhe social”, dhe mund të vazhdojë rrugën drejt bërjes “pjesë e shteteve të bashkuara të Evropës”.

Në garë janë edhe: Alleksa Beçiq, ish-kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve; Goran Danilloviq, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar; Draginja Vuksanoviq Stankoviq nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Radulloviq, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në mediat sociale.

Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, ka rreth 625.000 banorë.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 542.154 qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat