Pas tërmetit shkatërrues që ia mori jetën 50 mijë banorëve, Kahramanmars goditet nga tornado, raportohet për të vdekur

Evropë

Pas tërmetit shkatërrues që ia mori jetën 50 mijë banorëve, Kahramanmars goditet nga tornado, raportohet për të vdekur

Më: 21 prill 2023 Në ora: 07:05
Foto nga vendngjarja

Si pasojë e tornados së sotme në rajonin turk të Kahramanmaras, i cili ishte ndër rajonet më të prekura nga tërmeti katastrofik në fillim të shkurtit, një person ka humbur jetën, ndërsa 40 persona janë lënduar.

Agjencia turke e lajmeve DHA njoftoi se tetë persona u lënduan rëndë. Tornado shkatërroi tendat dhe kontejnerët, në të cilët ishin vendosur përkohësisht ata që i mbijetuan tërmetit. Janë dëmtuar edhe çatitë e disa objekteve, tornado ka rrokullisur disa automjete, duke shkaktuar dëme në to.

Shërbimet e urgjencës u dërguan në Kahramanmaras për të ndihmuar popullatën. Elif Cirahan ishte në mesin e atyre të cilëve u shkatërrua tenda. Dy vajzat e saj u plagosën gjatë tornados, ndërsa ajo nuk e di se sa të rënda janë lëndimet.

Autoritetet kanë premtuar se objektet akomoduese do të riparohen menjëherë, shkruan gazeta Daily Sabah.

Kujtojmë se më shumë se 50,000 njerëz humbën jetën nga tërmeti që goditi Turqinë në shkurt. Në të njëjtin moment, një tërmet goditi veriun e Sirisë, duke mbytur mijëra njerëz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat