Paqe në horizont, Moska dhe Kievi mund t’i japin fund luftës - ja çfarë pritet të ndodhë deri në fund të vitit

Evropë

Paqe në horizont, Moska dhe Kievi mund t’i japin fund luftës - ja çfarë pritet të ndodhë deri në fund të vitit

Më: 10 maj 2023 Në ora: 20:16
Vladimir Putin

Lufta në Ukrainë, e cila filloi në shkurt të vitit të kaluar, është gati të arrijë një pikë kthese dhe qeveritë në Moskë dhe Kiev ka të ngjarë të hyjnë në "negociatat reale" deri në fund të këtij viti. Ky është parashikimi i bërë nga ish-sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger gjatë një interviste dhënë stacionit televiziv CBS News:

"Tani që Kina ka marrë një rol negociator, situata do të arrijë kulmin e saj. Unë mendoj se deri në fund të këtij vit do të diskutojmë proceset negociuese dhe do të kemi edhe negociata reale”, tha ai. Gjatë intervistës, Kissinger deklaroi se do të ishte i gatshëm të fliste personalisht me presidentin rus Vladimir Putin, nëse do të merrte një kërkesë në lidhje me këtë nga administrata presidenciale amerikane e udhëhequr nga Joe Biden: "Unë do të isha i prirur ta bëja këtë. Si këshilltar”.

Vitin e kaluar Kissinger kishte kërkuar një zgjidhje të negociuar për konfliktin në Ukrainë, duke paralajmëruar se do të ishte e vështirë që një zgjidhje e tillë të përfshinte një rikthim të plotë të territoreve të pushtuara aktualisht nga forcat ruse, siç Ukraina pretendon.

Propozimi kinez

Pas disa raundeve të bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë në muajt e parë të konfliktit të nisur nga presidenti rus Vladimir Putin në shkurt 2022, asnjëra palë nuk është dukur e gatshme të kthehet në tryezën e bisedimeve. Pekini u përpoq të rifillonte bisedimet midis Kievit dhe Moskës me një propozim prej 12 pikash të botuar në përvjetorin e pushtimit.

Së bashku me thirrjen për një armëpushim, plani kinez do të linte trupat ruse në territoret e okupuara të Ukrainës dhe do t'i jepte fund çdo sanksioni që nuk miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ku Rusia është një anëtare me veto.

Kritikat për Kinën

Pavarësisht publikimit të planit të paqes prej 12 pikash, Xi është përballur me kritika nga komuniteti ndërkombëtar për të mos folur më shumë për pushtimin e Putinit. Gjatë gjithë luftës, ai dhe zyrtarë të tjerë të Pekinit kanë pohuar se Kina është neutrale dhe dëshiron vetëm paqe. Në të njëjtën kohë, megjithatë, zyrtarët kinezë dhe rusë kanë folur publikisht për lidhjet e ngushta midis vendeve të tyre dhe Xi udhëtoi në Moskë në mars për të vizituar Putinin.

"Kina nuk është e interesuar që Ukraina të fitojë luftën dhe të kthejë të gjitha territoret e saj të okupuara. Fitorja për Ukrainën do të nënkuptonte për Kinën fitore për demokracinë dhe humbjen e partnerit të saj strategjik pa kufi. Kina do të bëjë gjithçka për të parandaluar që kjo të ndodhë," tha Oleksandr Merezhko, anëtar i parlamentit ukrainas, për Newsweek pas vizitës së Xi në Moskë. Megjithatë, Xi më vonë pati një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në prill. “Ne duhet të shfrytëzojmë mundësinë për të krijuar kushte të favorshme për një zgjidhje politike të krizës”, i tha Xi Zelenskyt, sipas një përmbledhjeje zyrtare nga Kina. Në Twitter, Zelensky tha se ai dhe Xi "patën një bisedë të gjatë dhe kuptimplotë". Ai shtoi se "kjo thirrje, si dhe emërimi i ambasadorit të Ukrainës në Kinë, do t'i japë një shtysë të fuqishme zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe".

Pengesat për negociatat

Megjithëse zyrtarët e Putinit dhe Kremlinit kanë thënë se janë të hapur për të diskutuar marrëveshjen me Ukrainën, kushtet e tyre për bisedime të tilla sugjerojnë se një armëpushim është larg. Gjithashtu, Ukraina tregoi se nuk mund të negociojë me Putinin për shkak të urdhrit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për arrestimin e tij mbi deportimin e supozuar të fëmijëve ukrainas. Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak shkroi në Tëitter pas lëshimit të urdhrit në mars se identifikimi i Putinit si "një kriminel ndërkombëtar do të thotë drejtpërdrejt se nuk do të ketë negociata me elitën aktuale ruse".

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka thënë se negociatat e paqes për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë "nuk ishin të mundshme në këtë moment", në një intervistë të publikuar nga e përditshmja spanjolle El Pais. "Është e qartë se palët janë përfshirë plotësisht në këtë luftë" dhe "janë të bindur se mund të fitojnë", citohet të ketë thënë shefi i OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat