Raporti i BE-së: Gati 1 milion njerëz kërkuan azil në BE në vitin 2022

Evropë

Raporti i BE-së: Gati 1 milion njerëz kërkuan azil në BE në vitin 2022

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 11:52
Foto ilustrim

Një numër rekord njerëzish kanë aplikuar për azil në BE, kryesisht nga Siria, Afganistani, Turqia, Venezuela dhe Kolumbia. BE, ndërkohë po e debaton një plan të ri migracioni.

Kërkesat për azil në Bashkimin Evropian në vitin 2022 u rritën në afro një milion, thuhet në një njoftim nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA).

Agjencia në fjalë tha se kishte 996,000 aplikime vitin e kaluar, 53% më shumë se në 2021.

Njerëzit nga Siria, Afganistani, Turqia, Venezuela dhe Kolumbia ishin ndër grupet më të mëdha që kanë aplikuar për azil.

Gjermania mori numrin më të madh të aplikimeve me 244,000 sosh, e ndjekur nga Franca, Spanja, Austria dhe Italia.

BE nën “presion akut”

Personave që ikën nga lufta në Ukrainë u është dhënë statusi i mbrojtjes speciale të përkohshme.

Rreth 4 milionë ukrainas jetojnë në Bashkimin Evropian. Ata nuk janë pjesë e gati një milion kërkesave për azil të paraqitura vitin e kaluar.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA) thotë se numri i azilkërkuesve po bën “presion akut në vendet e pritjes tashmë të tensionuara në shumë vende”.

Plani i ri i BE-së për migracionin

Raporti vjen ndërkohë që liderët e Bashkimit Evropian po e debatojnë një plan të ri migracioni, veçanërisht për ata që kanë arritur në brigjet evropiane pa një rrugë ligjore.

BE kohët e fundit ka rënë dakord për një plan përmes të cilit i lejon shtetet ose të pranojnë një numër të caktuar migrantësh ose të paguajnë deri në 20,000 euro për çdo person të cilin e refuzojnë.

Megjithatë, Hungaria dhe Polonia e kanë kundërshtuar planin e mësipërm. Kryeministri hungarez Victor Orban i ka thënë televizionit shtetëror javën e kaluar se nuk do ta zbatonin atë plan.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shprehur besimin në plan, duke thënë se ai u paraqet vendeve anëtare disa opsione.

Plani i migracionit ka qenë veçanërisht në qendër të vëmendjes pasi një anije e mbytur me emigrantë, që besohet të jetë një nga fatkeqësitë më tragjike në Detin Mesdhe kohët e fundit, hodhi dritë mbi krizën e refugjatëve./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat