Gjermania bllokadë Ukrainës/ Olaf Scholz: Nuk mund të përdorin armët tona me rreze të gjatë veprimi

Evropë

Gjermania bllokadë Ukrainës/ Olaf Scholz: Nuk mund të përdorin armët tona me rreze të gjatë veprimi

Më: 15 shtator 2024 Në ora: 16:03
Olaf Scholz

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për muaj të tërë u është lutur shteteve të fuqishme të Perëndimit që t’i japin të drejtë që të përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar thellë brenda Rusisë.

Atëherë kur dukej se ai ishte afër arritjes së këtij qëllimi, ka hasur në një pengesë serioze.

Gjermania njoftoi të dielën se nuk do të lejojë Ukrainën të nisë sulme me armë gjermane thellë në territorin rus “edhe nëse vendet e tjera vendosin ndryshe”. Kështu deklaroi kancelari Olaf Scholz.

Gjatë një fjalimi në Brandenburg, Scholz siguroi se Gjermania “do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën ushtarakisht” në mënyrë që vendi “të mos shembet”, por theksoi se ai do të mbetet kundër idesë që Kievi të përdorë armë gjermane me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar objektivat në Rusi. “Unë mbetem i vendosur në pozicionin tim, edhe nëse vendet e tjera vendosin ndryshe”, tha kancelari gjermane.

Javët e fundit janë intensifikuar bisedimet për heqjen e këtyre kufizimeve dhe SHBA me Mbretërinë e Bashkuar kanë rënë parimisht dakord që Ukraina të përdorë armët e këtij lloji.

Mirëpo qëndrimi i Gjermanisë pritet të ketë efekt të menjëhershëm edhe në këto dy vende, pasi Biden dhe Starmer janë kritikuar jo vetëm nga opozitat e vendeve respektive, por edhe nga pjesëtarë të partive të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat