Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka konfirmuar se nivelet e rrezatimit në zonën e Zaporozhies, që ndodhet nën kontroll rus, janë normale pas një sulmi me dron në centralin bërthamor.
Sipas IAEA-së, pas inspektimeve fillestare është konstatuar dëmtim në pjesën e jashtme të një ndërtese në central, konkretisht në zonën e turbinave, si pasojë e goditjes.
Agjencia njoftoi se një ekip i saj në terren ka kërkuar akses të plotë për të inspektuar objektin e dëmtuar dhe për të vlerësuar situatën.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, shprehu shqetësim të thellë për incidentin, duke theksuar se çdo sulm ndaj infrastrukturës bërthamore është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe “si të luash me zjarrin”.
Sipas autoriteteve ruse, një dron ukrainas ka goditur ndërtesën e turbinave të njësisë numër 6 të centralit, duke shkaktuar një shpërthim dhe duke hapur një vrimë në mur, por pa dëmtuar pajisjet kryesore.
Kreu i Rosatom-it, Alexei Likhachev, e cilësoi sulmin si të qëllimshëm, ndërsa pala ukrainase nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar.
Centrali bërthamor i Zaporozhies, më i madhi në Evropë, ndodhet në juglindje të Ukrainës dhe është nën kontroll rus që nga marsi i vitit 2022. Ai ka qenë disa herë objekt sulmesh gjatë luftës, duke rritur frikën për një incident bërthamor.