​Dyshohet për helmim nga uji i pijshëm në Han të Elezit, flet kryetari

Ferizaj

​Dyshohet për helmim nga uji i pijshëm në Han të Elezit, flet kryetari

Më: 11 korrik 2022 Në ora: 14:30
Foto ilustrim

Rreth 100 qytetarë të Hanit të Elezit kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga dita e djeshme. Në orë të vona të mbrëmjes, me dhjetëra pacientë me simptoma të helmimit janë paraqitu në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. I pari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi njofton, se dyshohet për simptoma të helmimit nga uji i pijshëm. Ndërkohë, bën të ditur se është njoftuar Instituti i Shëndetësisë Publike, por që ende nuk janë marrë mostrat e ujit.

Më tej, ai ka njoftuar se vetëm gjatë natës së mbrëmshme janë trajtuar 70 pacientë në QKMF-në e Hanit të Elezit.

Ballazhi: Dyshohet për një lloj helmimi nga uji i pijshëm

“Nga dita e djeshme kanë filluar simptomat e para dhe kërkesat për të marrë ndihmën e parë atje në QKMF në Han të Elezit, mbrëmë në orë të vonë. Kështu që, dyshohet për një lloj helmimi nga uji i pijshëm, por nuk e di se nuk janë marrë analizat, nuk janë bërë analizat e ujit. Deri më tani janë rreth 100 pacientë, por në ndërkohë vijnë edhe ndonjë. Edhe pse ndonjë valë e madhe nuk është, por ditën e djeshme. Nuk është diçka për shqetësim, për shkak se edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kemi kontaktuar, edhe me QKMF-në në Han të Elezit, nuk ka vend për shqetësim”, është shprehur ai.

Derisa thekson se nuk është gjendje alarmante, Ballazhi pohon se pacientët kanë simptoma të helmimit.

Ballazhi: Është vjellje, barkqitje dhe temperaturë

Është vjellje, barkqitje dhe temperaturë, por nuk është një gjendje shumë alarmante, por vetëm për shkak të numrit sepse është i madh. Por nuk ka ndonjë vend për shqetësim, të paktën kështu e thonë kompetentët e shëndetësisë”, shton ai.

Ai flet edhe për gjendjen e pacientëve të cilët kanë kërkuar trajtim në QKMF-në e Hanit të Elezit.

Ballazhi: Është njoftuar Instituti, ende nuk kanë marrë mostrat e ujit

“Aty marrin ndihmën e parë, infuzionet, ndryshe shkojnë në shtëpi. Nuk ka diçka për shqetësim edhe na thonë edhe mjekët që kanë kontakt me ta. Por, megjithatë është një helmim që ende nuk po e dimë se nga vjen… Është njoftuar Instituti, ata ende nuk kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të marrë mostrën e ujit, tash kur dalin analizat, unë, nuk mund të ju them diçka”, ka përfunduar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat