Ferrari prezanton SF21, makinën me të cilën kërkon të lërë pas zhgënjimin

Formula 1

Ferrari prezanton SF21, makinën me të cilën kërkon të lërë pas zhgënjimin

Më: 10 mars 2021 Në ora: 18:11
Ferrari prezanton SF21, makinën me të cilën kërkon të lërë pas zhgënjimin

Një makinë e kuqe, që zbehet në amaranten e origjinës, janë ngjyrat e Ferrarit SF21, me të cilin skuadra italiane e Formulës 1 do të provojë të lërë pas një sezon zhgënjyes dhe të rikthehet sërish në nivele të larta.

Ferrari ka prezantuar sot zyrtarisht makinën e re me të cilën do të garojë në Kampionatin Botëror 2021, teksa njëvendëshja SF21 përfaqëson një revolucion nga makina që performoi shumë dobët sezonin e kaluar.

Pas prezantimit online për shkak të kushteve të diktuara nga situata pandemike, Ferrari SF21 do të zbresë në pistën e Sakhirit në Bahrein këtë të premte dhe dy pilotët Charles Leclerc e Carlos Sainz Junior do të kenë tre ditë kohë për të zhvilluar më tej njëvendëshen me të cilën do të garojnë këtë sezon.

Synimi i skuadrës italiane është që këtë sezon të përmirësojë klasifikimin në renditjen e Konstruktorëve, pasi vitin e kaluar e mbyllën në vendin e 6, por njëkohësisht të provojnë të rikthejnë mitin e “kalit të shfrenuar”.

Për shkak edhe të rregullave të reja të organizatorëve, nuk janë bërë shumë ndryshime në pjesën e brendshme të makinës, me përjashtim të paketës së energjisë, që është vendimtare për rikuperimin e shpejtësisë.

Sa i përket pjesës së jashtme, është respektuar e kuqja tipike e Ferrarit, që vjen duke humbur në ngjyrën e makinës S100 me të cilën skuadra italiane garoi sezonin e kaluar në Mugello, me rastin e garës së 1000-të në Formula 1.

Sezoni i ri këtë vit do të ngrejë siparin më 28 mars në pistën e Sakhirit në Bahrein dhe Ferrari do të kërkojë të lërë pas zhgënjimin e sezoneve të fundit, këtë herë me dy pilotë të ri e entuziastë, si Charles Leclerc e Carlos Sainz Junior.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat