Wolff: Kush dëshiron të garojë, le të garojë 

Formula 1

Wolff: Kush dëshiron të garojë, le të garojë 

Nga: BOTA SOT Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 13:17
George Russell (majtas) dhe Max Verstappen.

Formula 1 do ta zhvillojë garën e fundit të sezonit në Lindjen e Mesme sipas planit, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë në rajon.

Udhëtimi prej më shumë se 13 mijë kilometrash nga Las Vegasi, ku fundjavën e kaluar u zhvillua gara e parafundit e tretë nga fundi i sezonit, drejt Lusailit, u bë pavarësisht paralajmërimeve të qarta nga qarqet diplomatike.

Në përgjithësi, udhëtimet drejt Katarit nuk rekomandohen, për shkak të situatës tepër të paparashikueshme në rajon dhe rrezikut të lartë të përshkallëzimit të konfliktit.

Megjithatë, pas diskutimeve të gjata, drejtuesit e Formula 1 kanë vendosur që garat e fundit të sezonit në Katar, këtë të diel, dhe një javë më vonë në Abu Dhabi, të zhvillohen sipas kalendarit.

“Ne nuk do t'i dërgojmë kurrë punonjësit tanë, pilotët apo personat e tjerë përgjegjës në një vend ku vlerësojmë se ekziston rrezik.

Në asnjë mënyrë”, deklaroi presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Mohammed Ben Sulayem, i cili vjen nga Dubai.

Megjithatë, televizioni gjerman Sky, disa partnerë të tjerë televizivë dhe sponsorë kanë vendosur të mos dërgojnë punonjësit e tyre në Katar.

Formula 1 nuk garoi në rajonin e Gjirit në prill

Në muajin prill, për shkak të luftës me Iranin, Formula 1 kishte larguar nga kalendari garat për Çmimin e Madh të Bahreinit dhe Arabisë Saudite.

Gara e Bahreinit u zhvillua më pas, në fillim të tetorit, në Malajzi.

Për kompaninë Liberty Media, pronare e Formula 1, garat në Lindjen e Mesme kanë rëndësi të madhe financiare. Sipas raportimeve, secili organizator paguan nga 40 deri në 50 milionë euro për organizimin e një gare.

Për këtë arsye, drejtuesit e kampionatit nuk kanë dashur të heqin dorë nga garat në Katar dhe Abu Dhabi, aq më tepër që organizatorët e këtyre dy vendeve nuk kishin planifikuar anulimin e tyre, gjë që mund të sillte edhe kërkesa për dëmshpërblim.

Edhe MotoGP, që gjithashtu është në pronësi të Liberty Media, zhvilloi garën në Lusail në fillim të nëntorit, pavarësisht bojkotit të ekipit Yamaha.

Shefi i Mercedesit, Toto Wolff, e përmblodhi situatën me këto fjalë:

“Kush dëshiron të garojë, le të garojë. Kush nuk dëshiron, le të mos garojë. Kaq e thjeshtë është. Secili mund të marrë vendimin e vet dhe unë e respektoj këtë”.

Verstappen i shqetësuar, Norris dhe Russell më të qetë

Fituesi i garës në Las Vegas, Max Verstappen, është nisur drejt Lindjes së Mesme me shqetësime për situatën e sigurisë.

“Unë do të preferoja të qëndroja në shtëpi”, deklaroi ylli i Red Bullit.

Ai tha se nuk mund të shprehte shumë kritika nëse u garantohet siguria e plotë, por shtoi: “A është e këndshme që në vendet përreth, majtas, djathtas apo më poshtë, ende fluturojnë raketa? Jo, kjo sigurisht që nuk është aspak e këndshme”.

Ndryshe mendon kampioni i botës në fuqi, Lando Norris, i cili nuk shfaqi shqetësime të veçanta.

“Unë nuk besoj se sporti do të na vinte në rrezik”, deklaroi piloti i McLarenit.

Edhe George Russell, piloti i Mercedesit, u shpreh i qetë për situatën: “Formula 1 nuk është aspak naive, prandaj nga ana ime nuk ka asnjë shqetësim”.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat