Ditët e fundit, drejtori ekzekutiv i Ferrari, Fred Vasseur, kishte deklaruar se Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton ishin “pajtuar” pas incidentit në Las Vegas.
Por, duke gjykuar nga komentet e Leclerc në një konferencë për shtyp para garës së Katarit, duket se nuk është plotësisht kështu.
“Nëse sezonin e ardhshëm kemi një makinë që mund të konkurrojë për kampionatin, do të jetë edhe më e rëndësishme që të dy të gjejmë një zgjidhje. Kemi diskutuar tashmë për gjetjen e një mënyre për ta zgjidhur këtë çështje. Jashtë pistës, kam një marrëdhënie shumë të mirë me Lewis”, tha monegasku.
“Nuk do të thoja se atmosfera dhe marrëdhënia mes nesh është e shkëlqyer për momentin. Sigurisht që nuk ka shumë gëzim tani për tani. Por jemi ne ata që duhet ta përmirësojmë situatën dhe jemi ne ata që duhet të gjejmë një zgjidhje”, shtoi Leclerc.
Piloti nga Monako shtoi: “E dija cili ishte qëndrimi i Vasseur dhe, si pilot, duhet ta pranoj. Jemi dy pilotë të fortë, ku secili dëshiron të përfundojë përpara tjetrit.
Fatkeqësisht, kohët e fundit kanë ndodhur shumë incidente të tilla. Gjëja më e rëndësishme është të gjejmë një zgjidhje për t’i shmangur sa më shumë probleme të tilla.”
“Unë mora përgjegjësinë për atë që ndodhi në Las Vegas, por jam dakord se kontakti mes dy makinave Ferrari është i papranueshëm. Ka qenë një sezon sfidues, mendoj se kjo vlen për çdo pilot.
Pati një periudhë të vështirë në mes të sezonit, ku disa aspekte të makinës nuk më bënin të ndihesha rehat. Por që atëherë jemi përmirësuar; tani ndjesia është mjaft e mirë dhe shpresojmë që t’i mbyllim në mënyrë pozitive këto dy gara të fundit”, tha Leclerc.