Roli i intelektualëve shqiptarë në diasporë për internacionalizimin e luftës sonë çlirimtare dhe pavarësinë e Kosovës, ka qenë i përmasave të jashtëzakonshme!

Gjermania

Roli i intelektualëve shqiptarë në diasporë për internacionalizimin e luftës sonë çlirimtare dhe pavarësinë e Kosovës, ka qenë i përmasave të jashtëzakonshme!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 29 mars 2022 Në ora: 16:24
Redaktori Uwe Jauß bisedoi me Elezajn

Gazeta gjermane “Schwäbische Zeitung”, e cila edhe sot botohet në qytetin Leutkirch, afër Ulmit, me një numër prej mbi 2 milion lexuesish, me 10 prill të vitit 1999, redaktori i saj, z. Uwe Jaus, e bëri këtë intervistë me mua, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Asociacionit të intelektualëve shqiptarë në Gjermani (BISHM), e cila u botua në faqen 3.

Dhe, meqë jo pak politikanë shqiptarë në Prishtinë, vazhdojnë ta konsiderojnë veten si meritorët kryesorë për kontributin e tyre në luftën tonë çlirimtare dhe për pavarësinë e Kosovës, duke e injoruar dhe minimizuar me cinizëm rolin dhe ndihmesën e mijëra intelektualëve shqiptarë në Gjermani dhe gjithë diasporën tonë nëpër botë, bile duke thënë, “se pa rolin e tyre Kosova nuk do çlirohej dhe as pavarësohej”, sikur liria e Kosovës të kishte filluar dhe mbaruar vetëm me ta, etj., ky qëndrim i tyre më shtyri që intervistën time ta përkthej nga gjuha gjermane, jo për asgjë tjetër, por vetëm si ilustrim, për t’ia ia ofruar edhe njëherë opinionin tonë me faktin historik dhe të pa tjetërsuar, se roli i mediave dhe publikimi i qindra dhe mijëra intervistave të intelektualëve tanë në mërgatë në qindra gazeta, media dhe TV gjermane, në vitet më të vështira që i kalonte Kosova, pra mijëra e mijëra shkrime, informata, deklarata, raporte nga qindra tubime me palën gjermane, nga grumbullimi dhe dërgimi i ndihmave në Kosovë, etj., përmes të cilave kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për internacionalizimin e çështjes së Kosovës para opinionit gjerman dhe atij perëndimorë, duke i demaskuar fuqishëm politikën kriminale të Serbisë..!?

Sepse, siç dihet, puna me mediat e huaja ishte po aq e rëndësishme sa edhe vet lufta e armatosur kundër armikut, pra puna dhe angazhimi në planin e internacionalizimit dhe sensibilizimit të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare, sepse pranë luftës së armatosur ne kishim po aq nevojë që t’i njoftonim shtetet perëndimore mbi atë se çka po ndodhte në Kosovë, duke e fituar në këtë mënyrë dhe me mjaft mund simpatinë e tyre politike, por edhe duke i zgjuar ndjenjat humane të popujve të Evropës dhe botës që të na dalin në ndihmë, politikisht, financiarisht, materialisht dhe ushtarakisht.

Intervista ime më poshtë:

Image
Gazeta “Schwäbische Zeitung”

Këndi i faqes: Lufta në Kosovë

Titulli i intervistës:

"Ne jemi gati të vdesim"

Një dislokim i trupave tokësore të NATO-s në luftën e Kosovës vështirë se nuk do të përputhej me konceptin e Rexhep Elezajt. Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë në Mërgim, me banim në Ravensburg, bën thirrje që guerilët e UÇK-së të pajisen në atë mënyrë që t’i mundin serbët.

SZ: A keni ende kontakte në Kosovo? Na vjen keq, në gjuhën tuaj quhet Kosova.

Elezaj: Po, Kosovo është fjalë serbe. Pra: ne marrim lajme nga refugjatët tanë. Ekziston një lidhje telefonike në një fshat afër vendlindjes sime në Pejë, përmes një celulari të veçantë. Ato që dëgjojmë janë të tmerrshme... masakra të shumta.

SZ: Çfarë qëndrimi keni për sulmet ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe?

Elezaj: Sulmet ajrore të NATO-s janë absolutisht të nevojshme. Në fund të fundit, megjithatë, ata arritën shumë vonë. Fundja, Perëndimi tashmë e ka kuptuar gjatë luftës në Bosnje se regjimi në Beograd e kupton vetëm gjuhën e forcës. Diplomacia nuk lëvizi asgjë për çështjen e Kosovës. Por siç thuhet në gjuhën tuaj: Më mirë është që sulmet të vijnë vonë se sa kurrë.

SZ: A mendoni se presidenti i Jugosllavisë Millosheviç do të dorëzohet?

Elezaj: Jo, vetëm bombardimet ndoshta nuk do t'ia arrijnë qëllimit. Millosheviçi pranon që ta len gjysmën e Serbisë të bjerë nën rrënoja, se sa të dorëzohet.

SZ: Kjo do të thotë se NATO duhet të dërgojë trupa tokësore...

Elezaj: Ushtarakisht do ishte e pranueshme të ndalohej tragjedia. Por politikisht kjo nuk është një zgjidhje. Synimi ynë mbetet Kosova e pavarur. Por me pushtimin e Serbisë nga trupat e NATO-s, ndoshta do të kishte vetëm një protektorat ndërkombëtar. Kjo nuk është zgjidhje për ne.

SZ: Vetëm nga ajri vështirë se është e mundur të kundër-goditen serbët. Kush duhet ta bëjë atë? Fronti juaj Çlirimtar, UÇK

Elezaj: Na duhen deri në 200 mijë luftëtarë në UÇK. NATO do duhej t'i armatoste ata dhe në të njëjtën kohë t’ia shkatërronte pajisjet e rënda serbëve nga ajri. Atëherë mund ta bëjmë vetë këtë.

SZ: Vërtetë?

Elezaj: Do të kishte shumë viktima. Por, ne jemi gati të vdesim. Ne nuk duam që djemtë gjermanë të vdesin për ne. Kjo është puna jonë.

SZ: A po rekrutohen luftëtarë të UÇK-së edhe në Gjermaninë jugperëndimore?

Elezaj: Mobilizimi i përgjithshëm po shkon shumë mirë. Të gjithë janë vullnetarë. Katër autobusë me rekrutë tashmë janë nisur për rrugë nga Shtutgarti për në Kosovë. Dymbëdhjetë burra shkuan nga Ravensburgu.

Image
Rexhep Elezaj

SZ: Edhe presidenti shumëvjeçar Rugova, i cili dikur i qëndronte politikës paqësore, kohët e fundit i kundërshtoi sulmet e NATO-s. Por tani ai u pa me Millosheviçin në televizionin serb dhe i dënoi bombardimet.

Elezaj: Nuk besojmë se Rugova është tradhtar. Rugova është peng i Millosheviqit. Me këtë akt ai (Millosheviçi, v. j.) po përpiqet të na përçajë me NATO-n. Unë jam i bindur se Millosheviçi është afër fundit të tij, derisa ai po përdor metoda të tilla (peng-marrjen).

SZ: Se ju e dëshironi pavarësinë e atdheut tuaj, kjo është thënë qartë. Por çfarë vjen pas kësaj?

Elezaj: Është e qartë se pas masakrave të tilla ne nuk mund të jetojmë më nën sundimin serb. Pra, nuk mund të ketë kthim në marrëveshjen e Rambujesë. Megjithatë, në fund të fundit, synimi ynë është bashkimi i të gjitha krahinave dhe vendbanimeve shqiptare në një shtet. Kjo duhet bërë në mënyrë demokratike. Ndërsa ne do t’i respektojmë të drejtat e grupeve të tjera etnike në trevat tona.

Image
Intervista e Rexhep Elezaj
Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat