Hafiz Gagica – Lokomotiva e mërgatës shqiptare

Gjermani

Hafiz Gagica – Lokomotiva e mërgatës shqiptare

Neki Lulaj Nga Neki Lulaj Më 30 maj 2026 Në ora: 19:06
Hafiz Gagica

Në muajt e parë të ardhjes sime në Gjermani, në vitin 1991, dëgjova nga disa mërgimtarë shqiptarë se në Stuttgart, në Konigstrabe 23, vepronte Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Gjermani dhe Evropë. Në krye të saj ishte një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, një emër që gëzonte respekt të veçantë në mërgatë: Hafiz Gagica.

Kureshtja dhe dëshira për ta njohur atë burrë na shtynë që, bashkë me një mikun tim, të niseshim me tren drejt Stuttgartit. Nuk kishim caktuar asnjë takim paraprak. Për ne, që sapo kishim mbërritur në Gjermani dhe nuk e njihnim ende gjuhën, udhëtimi prej afro 140 kilometrash dukej si një sfidë më vete.

Me adresën në dorë, pyesnim kalimtarët e rastit. Disa na përgjigjeshin me sinqeritet se nuk e dinin, të tjerë na orientonin me dashamirësi. Pas shumë pyetjesh dhe kërkimesh, më në fund arritëm në adresën që kërkonim.

Kur pamë tabelën në gjuhën shqipe, ndjemë një gëzim të veçantë. Ishte sikur të kishim gjetur një copëz atdheu në zemër të Evropës. Shtypëm zilen dhe pas pak na u dha shenja të hynim brenda.

Ngjitëm shkallët me nxitim dhe në katin e dytë na priti me buzëqeshje të ngrohtë Sali Çekaj, kushëriri im i afërt. Pas përshëndetjeve të përzemërta, hymë në zyrë, ku takuam Donika Gërvallën dhe Zymer Lulajn. Të dy na pritën me respekt dhe dashamirësi, duke na bërë të ndiheshim menjëherë si në mesin e familjes sonë.

Ndërsa po pinim kafenë që na ofruan, nga zyra tjetër doli një burrë me fytyrë të qeshur, me një qetësi fisnike dhe një buzëqeshje që të fitonte menjëherë besimin.

— Unë jam Hafiz Gagica, — tha duke na shtrënguar dorën.

Ishte një takim që nuk do ta harroj kurrë.

Që në minutat e para kuptohej se përballë kishim një intelektual të formuar, një veprimtar të palodhur dhe një njeri me vizion të qartë për fatin e Kosovës. Biseda rridhte natyrshëm. Ai interesohej për secilin, për profesionin, familjen dhe gjendjen tonë si mërgimtarë të rinj.

Por mbi të gjitha, Hafizi fliste për Kosovën.

Fliste me shqetësim për gjendjen dramatike të popullit tonë, por edhe me bindje të palëkundur se liria do të vinte. Ishte një nga mbështetësit më të vendosur të vizionit politik të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe një zë i fuqishëm i organizimit institucional të shqiptarëve në Evropë.

Ajo pritje e ngrohtë na frymëzoi. U kthyem në qytetin tonë me vendosmërinë për të themeluar Aktivin e LDK-së. Brenda një kohe të shkurtër, në aktivitetet tona u përfshinë mbi njëqind bashkatdhetarë, të gatshëm për t’i dalë zot çështjes kombëtare dhe aspiratës për lirinë e Kosovës.

Që nga ajo ditë, rrugët tona u kryqëzuan vazhdimisht.

Marrëdhënia ime me Hafiz Gagicën nuk mbeti vetëm në kuadër të angazhimeve politike. Ai ishte pjesëmarrës i rregullt në orët letrare dhe veprimtaritë kulturore që organizonim në kuadër të Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani. Më vonë u bëmë edhe miq familjarë.

Kam ende të freskëta fjalët e tij gjatë një dreke në shtëpinë tonë:

“Sa do të doja që një ditë të bëhesha kumbar i shtëpisë suaj.”

Ishte një dëshirë e shprehur me dashurinë dhe fisnikërinë që e karakterizonte.

Por jeta shpesh i shkruan ndryshe planet e njerëzve.

Në një periudhë kur unë vetë u përballa me sëmundjen dhe qëndrova në spital, mësova se edhe Hafizi po luftonte me një sprovë të rëndë shëndetësore. Deri vonë komunikonim në telefon, por me kalimin e kohës sëmundja e rëndoi gjendjen e tij.

Ditën kur mora lajmin e kthimit të tij të fundit në Kosovë, me dhimbje i thashë bashkëshortes:

“Lale, paskemi mbetur edhe pa këtë mik të madh…”

Ishte një humbje që më goditi thellë në zemër.

Hafiz Gagica ishte shumë më tepër se një veprimtar politik. Ai ishte lokomotiva e mërgatës shqiptare, një nga figurat më të rëndësishme të organizimit kombëtar në Evropë.

Zyra e LDK-së në Stuttgart ishte ambasada shpirtërore e shqiptarëve në kohën kur Kosova ende gjendej nën okupim. Aty gjenim informacion, mbështetje, orientim dhe shpresë. Ajo qendër vepronte falë përkushtimit të Hafiz Gagicës dhe bashkëpunëtorëve të tij, si Sali Çekaj, Zymer Lulaj, Donika Gërvalla dhe dhjetëra aktivistë të tjerë vullnetarë në Gjermani e më gjerë.

Edhe gjatë luftës së Kosovës, ai mbeti një urë e fuqishme komunikimi dhe informimi për mërgatën shqiptare.

Për mua, Hafiz Gagica do të mbetet gjithmonë njeriu i urtësisë, i modestisë dhe i besnikërisë. Ai ishte bashkëpunëtori dhe miku më i afërt i Presidentit Ibrahim Rugova, një njeri që besonte në dialog, në mençuri dhe në ndërtimin institucional të shtetit.

Pas luftës, si shumë veprimtarë të tjerë të heshtur, ai mbeti larg zhurmës së politikës dhe lavdisë së kërkuar nga të tjerët. Por kjo nuk e zbehu madhështinë e figurës së tij. Përkundrazi, e bëri edhe më të respektuar.

Sot, kur kujtoj Hafiz Gagicën, më vjen ndër mend buzëqeshja e tij, fjala e matur dhe dera gjithmonë e hapur për bashkatdhetarët.

Pushofsh në paqe, miku im i shtrenjtë.

U ndave nga ne si një meteor drite që përshkoi qiellin e mërgatës shqiptare, duke lënë pas një boshllëk të madh, por edhe një trashëgimi të pashlyeshme në kujtesën e atyre që patën fatin të të njohin.

Lavdi jetës dhe veprës sate!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat