​Mbahet koncert në nderim të qytetarëve të vdekur nga COVID-19 në Gjilan

Gjilani

​Mbahet koncert në nderim të qytetarëve të vdekur nga COVID-19 në Gjilan

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 19:40
Koncerti në nderim të qytetarëve të vdekur nga COVID-19 në Gjilan

Nën organizimin e Zyrës së Kryetarit në Gjilan, duke respektuar masat anti-COVID-19, është mbajtur sonte koncerti "Requiem of Hope" nga ClassiKos, në nderim të 93 qytetarëve të Gjilanit që humbën betejën me sëmundjen e rrezikshme.

Drejtoresha e Kulturës në Gjilan, Deniza Limani ka falënderuar mantel-bardhët për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë gjithë kohës së pandemisë.

“Sonte bëjmë homazh për 93 qytetarët tanë të cilët e humbën betejën me virusin, i cili e ka gjunjëzuar botën dhe Kosovën. Është emocion për të folur këtu, sepse edhe unë e kam humbur një anëtare të familjes sime”, tha Limani.

ClassiKos sollën një koncert të përmasave më ndryshe të muzikës serioze, ku u interpretuan vepra madhështore nga Moxart, R.Dhomi, C.Zadeja, T. Albinoni dhe A.Peterson, të cilat u performuan nga profesionistët e Gjilanit: Orkestrina dhe Kori nën udhëheqjen artistike të Burhan Azizi me dirigjente Florentina Rushiti - Bajrami dhe në piano Ndriqim Bajrami.

Secila vepër e sjellë në skenë, ishte e përmbushur me shumë emocion. Një lidhje e pa përshkruar mes thjeshtësisë së melodisë dhe interpretuesve ku shprehej kontrasti i mprehtë mes të bukures dhe dhimbjes.

Ndryshe, në skenë për secilën jetë të humbur nga ky virus ishte ndezur nga një qiri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat