Haziri: Gjilani realizoi të hyra për 217 përqind më shumë se vitin 2020

Gjilani

Haziri: Gjilani realizoi të hyra për 217 përqind më shumë se vitin 2020

Më: 15 gusht 2021 Në ora: 16:55
Lutfi Haziri

Komuna e Gjilanit ka shënuar rritjen më të madhe ndonjëherë të të hyrave vetanake në kodin e Tatimit në Pronë, falë ardhjes masive të mërgimtarëve dhe kryerjes së obligimeve shtetrore në vendlindjen e tyre.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë analizimit të të hyrave në bazë të shifrave zyrtare që disponon Drejtoria e Financave në Gjilan, ka theksuar se ka rritje të inkasimit në kategorinë e Tatimit në Pronë, që fatbardhsisht sipas tij edhe qytetarët e Gjilanit, por në masë të jashtëzakonshme iu kanë përgjigjur pagesave mërgimtarët tanë.

“Përkundër që një vit më parë gjilanasët për shkak të pandemisë mbetën pa u takuar me familjarët e tyre në mërgatë, ata këtë vit kanë ardhur me plotë të mira. Në këtë rrafsh përfituese është edhe Komuna e Gjilanit, në kodin buxhetor të Tatimit në Pronë, ku kemi të hyra për 217 për qind më shumë se në gjashtë mujorin e vitit 2020 dhe të hyrat më të mëdha të shënuara ndonjëherë deri më sot kur analizohen edhe dy muajt e sezonit të verës. Deri më tani është realizuar planifikimi në të hyra nga Tatimi në Pronë mbi 74 për qind dhe mbi 63 për qind nga të hyrat e përgjithshme”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai më tej ka falënderuar të gjithë mërgimtarët që këtë vit kanë ardhur në vendlindje, duke u dëshiruar atyre pushime të mira në Kosovë dhe njëkohësisht ka uruar fat, shëndet dhe suksese pas kthimit në vendin ku ata janë duke punuar dhe jetuar me familjet e tyre.

“Një falënderim i veçantë për të gjithë ata që kanë ardhur këtë vit në Gjilan. Janë heronj të gjallë, sepse me kontributin e tyre për një periudhë të shkurtër bëjnë të mundur që të ketë qarkullim të madh në të gjitha sferat e jetës, pavarësisht se në cilën veprimtari. Komuna e Gjilanit gjithmonë do t’i pres në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse ata vijnë në shtëpinë dhe familjet e tyre. Ata me kursimet e tyre investojnë në të gjitha format në vendlindje dhe kështu rrisin të gjithë parametrat e zhvillimit”, ka thënë Haziri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat