Flet zëdhënësi i Komunës së Gjilanit, tregon a do të anulohet vendimi i Hysenit për 1 orë më pak punë

Gjilani

Flet zëdhënësi i Komunës së Gjilanit, tregon a do të anulohet vendimi i Hysenit për 1 orë më pak punë

Më: 30 mars 2023 Në ora: 12:23
Alban Hyseni

Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni ka vendosur që zyrtarët që agjërojnë të punojnë një orë më pak gjatë Ramazanit. Ky vendim u përcoll me reagime të shumta, duke ia rikujtuar kryetarit që Kosova është shtet laik. Por edhe përkundër reagimeve, vendimi në fjalë nuk do të anulohet, kështu të paktën tha zëdhënësi i komunës së Gjilanit Hekuran Rapuca.

Zëdhënësi Hekuran Rapuca tha se vendimi për një orë më pak punë gjatë Ramazanit është shumë i vjetër, 20-vjeçar.

“Vendimi është shumë i vjetër, ky është vendim 20-vjeçar që përsëritet”, tha ai.

I pyetur nëse pas reagimeve publike do të anulohet, ai tha: “Jo absolut, jo”.

Pas kësaj përgjigje, ai u pyet se cili është arsyetimi për mosanulimin e vendimit dhe i njëjti tha se zyrtarët që dalin në orën 09 në punë, nuk e mbajnë pauzën.

“Arsyetimi është që orarin e punës kanë me mbajtë njejtë, nuk kanë me mbajtë pauzën edhe është kërkesë e vetë punëtorëve të administratës që e ka aprovu kryetari, masi vetëm u pa si vendim i përsëritur me vite, çdo vit, çdo Ramazan”, përfundoi zëdhënësi Rapuca.

Lidhur me këtë vendim, që dy ditë nuk ka kthyer përgjigje Ministria e Administrimit dhe Pushtetit lokal e as ministri Elbert Krasniqi.

Ndërkohë, publicisti Halil Matoshi ka kërkuar reagim nga MAPL në mbrojtje të kushtetueshmërisë.

“Vendimet e tilla për shkelje të parimit të laicitetit të shtetit mund të sfidohet edhe nga Avokati i Popullit”, është shprehur ai.

Por, as Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka kthyer përgjigje mbi komentin për vendimin e kryetarit Hyseni.

Muaji i ramazanit ka filluar më 24 mars dhe do të zgjasë deri më 20 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat