Arbër Ismajli i LDK-së, ka falënderuar të gjithë gjilanasit që ia dhanë besimin përgjatë rrugëtimit të tij si kandidat për të parin e Gjilanit.
Përmes një postimi në Facebook, Ismajli tha se ky rrugëtim i tij është më shumë se politik, e që sipas tij më shumë ishte përballje e vlerave, e dashurisë për qytetin dhe e shpresës për një Gjilan më të drejtë e më njerëzor.
“Të dashurit e mi, nga zemra ju falënderoj të gjithë aktivistët e sinqertë, njerëzit e përkushtuar dhe të gjithë ju që më dhatë besim, edhe përtej kufijve të LDK-së. Ky rrugëtim ka qenë më shumë se politik. Ka qenë një përballje e vlerave, e dashnisë për qytetin tonë dhe e shpresës për një Gjilan më të drejtë e më njerëzor”, shkroi ai.
Tutje, Ismajli pretendoi se ka pasur persona që kanë tentuar ta pengojnë në këtë rrugëtim, por të njëjtit, ai i falënderoi, pasi sipas tij, kjo e forcoi më shumë.
“E di që pati edhe nga ata që u munduan të pengojnë këtë rrugëtim, por unë i falënderoj, sepse më forcuan edhe më shumë për të mos u dorëzuar kurrë. Mirënjohje e pafund për secilin që qëndroi, besoi e punoi me shpirt e me zemër”, përfundoi shkrimin Isajli.
Në balotazhin e 9 nëntorit për Gjilanin, kreun e të parit të kësaj komune e rrëmbeu Alban Hyseni i VV-së.