21 raste të vrasjeve gjatë këtij viti, mbi 1300 persona u arrestuan për vepra të ndryshme penale

Kronikë e zezë

21 raste të vrasjeve gjatë këtij viti, mbi 1300 persona u arrestuan për vepra të ndryshme penale

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 14:35
Foto Ilustrim

Janë 21 raste të vrasjeve në Kosovë për këtë vit, ndërkohë që 2020-ta ka shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje. Sipas Policisë së Kosovës, janë mbi 1300 persona të arrestuar për vepra të rënda penale, ndërsa gjatë kësaj periudhe, 12 zyrtarë policorë kanë humbur jetën nga COVID-19 dhe mbi 1000 janë të infektuar që nga shpërthimi i epidemisë në muajin mars.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, raportimin e tij para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e ka nisur me paraqitjen e statistikave të punës së institucionit që udhëheq.

Ai para anëtarëve të komisionit njoftoi se gjatë këtij viti, janë identifikuar mbi 24 mijë vepra penale, ndërsa mbi 11 mijë si kundërvajtje dhe raste të natyrave tjera.

“Numri i vrasjeve gjatë kësaj periudhe fatkeqësisht ka shënuar ngritje nga 19 sa i kemi pasur vitin e kaluar, i kemi 25 këtë vit, që nënkupton 31,57 për qind ngritje. Numri i lëndimeve të rënda ka shënuar rënie nga 245, në 237. Numri i grabitjeve ka shënuar rënie nga 147 në 120. Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie, nga 4131 në 3492. Ndërsa, numri i rasteve të dhunës në familje fatkeqësisht ka shënuar ngritje. Nga 1751 në 1861, ose 6,86 ngritje”, ka theksuar Mehmeti.

Mehmeti ka theksuar se Policia e Kosovës ka ndaluar mbi 4400 persona për dyshimet në përfshirje në akte kriminale, e që krahasuar me vitin e kaluar ka ngritje me 1.89 për qind. Ndërkohë, që janë arrestuar mbi 12 mijë persona, të cilët në bashkëpunim me autoritetet tjera janë dërguar në procedura të mëtejme.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, në kuadër të aktiviteteve policore të orientuara në parandalimin të luftimit të krimit të organizuar, krimeve të rënda, janë realizuar 566 operacione të ndryshme, 939 bastisje lokale dhe objekteve të tjera të kontrolluara, si dhe 65 plane operative. Brenda kësaj periudhe janë punuar gjithsej 1413 raste të kësaj natyre, prej tyre 852 raste të reja, 418 raste të përpunuara nga njësitë tjera në kuadër të Policisë së Kosovës. 205 raste janë bartur nga vitet paraprake, ndërsa pesë raste kanë qenë të transferuara nga njësitë e tjera… Janë paraqitur 826 kallëzime penale, 54 prej tyre me kryes të panjohur, 772 kallëzime penale me kryes të njohur”, tha Mehmeti.

Gjatë kësaj periudhe ai theksoi se janë arrestuar mbi 1300 persona për vepra të rënda penale.

Deputetët Salih Zyba e Elmi Reçica kanë kërkuar që Mehmeti ta ndërpresë raportimin me statistika dhe të ketë raportim për gjendjen aktuale në këtë institucion.

Më tej, anëtari opozitar, Mefail Bajqinovci theksoi se kryeministri Hoti pati deklaruar se zyrtarët policorë se nuk po respektojnë masat antiCOVID, duke pyetur edhe për numrin e atyre që janë të infektuar.

“Kryeministri Hoti ka deklaruar që Policia e Kosovës dhe Inspektorati po i shkelin vendimet e qeverisë, pra nuk po i zbatojnë masat antiCOVID. A pajtohemi me deklaratën e kryeministrit? Deri më tani vlerësohet se një numër i madh i zyrtarëve policorë janë prekur nga COVID, sa është numri i tyre?”, tha Bajqinovci.

Mehmeti është përgjigjur se nuk mund të komentojë deklaratat e thëna nga të tjerët.

“Duhet të pranoj që unë nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë të kryeministrit Hoti, mirëpo unë ju kisha lut që një ushtrues detyre të drejtorit të policisë ta kurseni nga interpretimet e deklaratave që ka bërë kryeministri, ministri apo ndonjë deputet, sepse nuk është as etike e as profesionale për mua që të bëj komente rreth asaj çka thotë një politikan. Natyrisht që Policia e Kosovës i respekton vendimet e Qeverisë dhe gjitha ligjet dhe urdhëresat që dalin nga institucionet legjitime të shtetit”, deklaroi ai.

Për këtë ka reaguar deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, e cila ka kërkuar që i njëjti të “zgjedhë” fjalët edhe kur flet me deputetët.

“Mos na thuaj që nuk është profesionale, se që 10 vjet jemi në këtë komision. Edhe tash vjen një drejtor, një ushtrues detyre me thënë që nuk është etike dhe profesionale, kjo nuk është profesionale. Keni kujdes, zgjidhni fjalët, nëse ruheni dhe i zgjidhni fjalët për qeverinë, dy herë duhet me i zgjedh fjalët për Kuvendin. Këtë ta keni parasysh, sepse edhe qeveria edhe ju i përgjigjeni këtij komisioni”, u shpreh Musliu

Tutje, Mehmeti ka folur edhe për numrin e zyrtarëve policorë të infektuar me COVID-19 nga marsi i këtij viti. Ndërkohë që siguroi se numri i të infektuarve, nuk ka ndikuar në punën e policisë.

“293 janë aktivë me COVID, janë të infektuar. Fatkeqësisht 12 zyrtarë nuk kanë arritur me i përballua infeksionit, edhe kanë vdekur si pasojë e infektimeve. Sot në ditën kur po flasim 234 pjesëtarë i kemi në izolim, prej fillimit të pandemisë janë infektuar 1142 pjesëtarë të policisë, ndërsa staf civil 47”, tha ai.

Derisa ka folur për numrin e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë, ai nuk ka mohuar se në ndonjë rast ka pasur tejkalim të kompetencave. Ai ka folur edhe për rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, ku tha se janë identifikuar 18 raste për shërbime të prostitucionit, ku janë strehuar shtatë viktima.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat