​I zhdukur prej dy javësh, ende nuk dihet asgjë për fatin e Bedri Rexhepit

Kronikë e zezë

​I zhdukur prej dy javësh, ende nuk dihet asgjë për fatin e Bedri Rexhepit

Më: 22 prill 2021 Në ora: 09:28
​I zhdukur prej dy javësh, ende nuk dihet asgjë për fatin e Bedri Rexhepit

Fati i Bedri Rexhepit, i zhdukur që nga data 8 prill, ende nuk dihet. Edhe pse po bëhen dy javë që kur u zhduk në rrethana të panjohura, Policia e Kosovës nuk ka informacion për vendndodhjen e tij.

Përgjigjja e vetme për mediat nga ana e këtij institucioni është se “kërkimet janë duke vazhduar”, ndërsa çdo minutë që kalon e bën shumë të vështirë për familjarët, miqtë dhe kolegët e tij të cilët vazhdojnë të jenë shumë të shqetësuar në lidhje me rastin.

Rexhepi nuk ka qasje në telefonin e tij celular prej orës 21:30 të datës 8 prill. Vetura e tij e tipit “Grand Shirok” është gjetur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit vetëm një ditë pasi ishin humbur kontaktet me të.

Duke qenë se Policia e Kosovës ka konfirmuar se nuk ka asgjë të re në lidhje me këtë çështje, KosovaPress ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, që për rastin e njëjtë ka një të dyshuar me inicialet J.V. për të cilin është urdhëruar një muaj paraburgim.

Mirëpo, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj, ka refuzuar të jap ndonjë informacion për të mos dëmtuar hetimet që sipas saj janë duke u zhvilluar.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet rreth këtij rasti. Andaj, për shkak të ruajtjes së integritetit të kësaj procedure nuk mund të ndajmë me ju informata shtesë”, tha Ulaj.

Më 15 prill Departamenti i Krimeve të Rënda pranë kësaj prokurorie kishte paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit J.V., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

Më pas, gjyqtarja e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pas seancës dëgjimore ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.V. dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, nga data 13.04.2021 e deri më datë 13.05.2021 konform nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafët 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).

“I pandehuri J.V. është ndaluar ngase ekziston dyshimi i bazuar se është i implikuar në rrëmbimin e tani të dëmtuarit B.R., ashtu që me datë 08.04.2021, rreth orës 21:00, i dëmtuari B.R. është zhdukur në rrethana deri me tani të panjohura dhe deri me tani nuk dihet vend ndodhja dhe gjendja e tij shëndetësore, kurse me datë 09.04.2021 rreth orës 07:00, është gjetur vetura e të dëmtuarit e braktisur e tipit Xhip Grand Shirok, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, po ashtu viktima nga data 08.04.2021 rreth orës 21:30, nuk ka qasje në telefonin e tij celular”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

Nëse ndokush ka ndonjë informacion lidhur me rastin mund të kontaktojnë në numrat 049 492 777 dhe 045 596 869 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat