Dënohet mësuesi, ia përmirësoi notat djalit të tij dhe 10 nxënësve tjerë në Drenas

Kronikë e zezë

Dënohet mësuesi, ia përmirësoi notat djalit të tij dhe 10 nxënësve tjerë në Drenas

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 17:01
Ilustrim

Pasi e ka pranuar fajësinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, i akuzuari Fehmi Ramaj është dënuar me 1,500 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ramaj po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, për të cilën vepër u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Alban Ajvazi, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shkelzen Ibrahimi, i akuzuari Ramaj ka pranuar fajësinë sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar u deklarua i pafajshëm.

Për një pranim të tillë të fajësisë, prokurori Ibrahimi ka deklaruar se këto vepra janë kryer në bashkim real, e këtë qëndrim të tij tha se e bazon në Kodin Penal, përkatësisht në nenin 80 si dhe në teorinë penale.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ramaj, avokati Ramë Dreshaj ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë këtë pranim fajësie dhe të mbrojturit të tij t’i shqiptojë një dënim sa më të butë, me arsyetimin se i njëjti ka marrë edhe masa disiplinore.

Pas deklarimeve të palëve, gjykatësi Ajvazi ka aprovuar pranimin e fajësisë dhe e ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj Ramajt, me të cilin ai fillimisht u dënua me 6 muaj burgim. Mirëpo, me pëlqimin e tij dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumën prej 1,500 euro, të cilën mund ta paguajë me tre këste.

Kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, gjykatësi Ajvazi tha se me një vendim të veçantë do ta veçojë procedurën.

Po ashtu, ai ka thënë se për këtë vepër penale do të vlerësohet edhe kompetenca lëndore, nëse hyn në kompetencën e Departamentit për Krime të Rënda.

Lidhur me këtë, gjykatësi Ajvazi ka deklaruar se në afat prej 10 ditësh palët mund të bëjnë kundërshtimet e tyre dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Ndryshe, Fehmi Ramaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2020, pasi kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare të 4 majit. Ai ishte dënuar me nëntë muaj burgim për dy veprat penale.

Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi kishte bërë ankesë mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Dreshaj, pas së cilës Gjykata e Apelit çështjen e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin se nuk janë respektuar dispozitat procedurale për pranimin me fajësisë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 dhjetor 2019, Fehmi Ramaj akuzohet se më 30 maj 2014, rreth orës 16:00, në Shkollën Fillore të Mesme e Ulët “Shote Galica”, në fshatin Tërdec të Drenasit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, në cilësinë e personit zyrtar-mësues i nivelit të ulët shkollor, kujdestar i klasës së katërt, ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim që të përfitojnë dobi të tjerët, ashtu që ka tejkaluar kompetencat e tij, duke ndërhyrë në ditarin e klasës IX/1, ku sipas dëshirës së tij kishte përmirësuar notat ekzistuese të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2013/14, në lëndën e Biologjisë, pa dijeninë e arsimtarit të lëndës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte ndërhyrë në notat e 11 nxënësve, duke përfshirë edhe djalin e tij, e duke i përmirësuar notat e tyre, me çka ka ngritur notën mesatare të tyre për të gjitha lëndët mësimore e kishte përmirësuar edhe sukseset e tyre të përgjithshme.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, ai akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke shënuar të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar, ashtu që pasi kishte marrë ditarin e klasës së IX, në lëndën e biologjisë i kishte notuar 11 nxënës të kësaj klase me nota sipas dëshirës së tij, pa dijeni të arsimtarit të lëndës, tani dëshmitarit Hysen Halilaj.

Me këtë, Ramaj akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar” në bashkim real me veprën nga pika 1 e dispozitivit të aktakuzës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat