​Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për fajde, rrëmbim e blerje të drogës

Kronikë e zezë

​Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për fajde, rrëmbim e blerje të drogës

Më: 31 gusht 2021 Në ora: 14:46
Foto ilustrim

Për të arrestuarin A.O, Prokuroria Themelore në Prishtinë po kërkon paraburgim me dyshimin se ai ka kryer veprat penale “fajde”, “rrëmbim”, “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substanca psikotope dhe analoge”.

Në komunikatën për medie nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thuhet se A.O dyshohet se në objektin e tij ka rrëmbyer viktimën.

Pas bastisjes në këtë objekt është gjetur drogë dhe para në vlerë mbi 12 mijë euro.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj personit me inicialet A.O., pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Fajdeja’, nga neni 331 të KPRK-së, ‘Rrëmbimi’ nga neni 191 të KPRK-së dhe ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, nga neni 267 të KPRK-së. Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, kanë ndërmarrë veprime konkrete hetimore, është urdhëruar masa e kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit të lartcekur, me dyshimin se në këtë objekt i njëjti ka mbajtur të rrëmbyer viktimën, ashtu që me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, është bastisur objekti në fjalë dhe është sekuestruar një sasi e substancës narkotike, para në vlerë mbi 12.000 (dymbëdhjetë mijë euro), të cilat dyshohet se janë përfituar me anë të kryerjes së veprës penale, si dhe gjësende të tjera të cilat do të përdoren në procedurë të mëtejme penale”, thuhet në komunikatën për media.

I dyshuari, nga data 30 gusht 2021 ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa prokurori i çështjes në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të rrethanave rreth këtij rasti.

Ndërkohë që të hënën policia ka njoftuar për arrestimin e 21-vjecarit, në lagjen Pejton të Prishtinës.

“Sot rreth orës 10:00, nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë në lagjen Pejton, është arritur të lokalizohet dhe arrestohet një person i dyshuar për veprat rrëmbim, fajde dhe blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikeve , substancave psikotropike dhe analoge”, thuhej në njoftimin e policisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat