Policia në kërkim të ish-ambasadorit Gjergj Dedaj

Kronikë e zezë

Policia në kërkim të ish-ambasadorit Gjergj Dedaj

Më: 16 janar 2022 Në ora: 23:25
Gjergj Dedaj

(E plotësuar) - Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj ka thënë se lajmi që ai është ne kërkim nga policia, sepse nuk i ka kthyer targat diplomatike është lajm i pavërtetë.

“Këto janë lajme të picimulave. S’kam çka me fol krejt këto rreth kësaj teme janë lajme të picimualve. Nuk e di për çka e keni fjalën po janë lajme te picimulave janë shpifje”, ka thënë ai.

Po ashtu Dedaj mohon të jetë në kërkim nga Policia e Kosovës për këtë vepër.

Ai i tha se policia nuk e ka kërkuar që 68 vite.

“Që 68 vite nuk me ka kërkuar mua policia. Asnjëherë. Janë shpifje të picimulave, mashtruesve e hajnave”.

I pyetur nëse i ka kthyer targat, Dedaj tha se nuk i ka thyer tagat duke e arsyetuar se janë të veturës së tij personale dhe se i ka paguar vet të gjitha shpenzimet.

“Unë kam regjistrim dhe tabelat diplomatike personale private d.m.th të kerrit tem privat dhe ato nuk kthehen, sepse ato i kam pagu unë edhe regjistrimin të gjitha i kom pagu personalisht nuk kam marr nga buxheti i shtetit asnjë cent”, tha ai në përgjigje.

Siç u raportua, MPJD ka lëshuar urdhër për konfiskimin e tabelave të veturave zyrtare dhe të ID-ve diplomatike që po vazhdojnë të mbahen paautorizim nga ish-ambasadori Dedaj dhe ish-konsulli, Lindon Kqira, i cili po ashtu e pati vlerësuar si jokushtetues vendimin e Osmanit.

***

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, i cili mbahet mend për refuzimin e dekretit të presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e tij, duket se ka sërish problem me punëdhënësen e tij, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Burimet e mediave kanë bërë të ditur se kjo ministri ka lëshuar urdhër për konfiskimin e tabelave të veturave zyrtare dhe të ID-ve diplomatike që po vazhdojnë të mbahen pa autorizim nga ish-ambasadori Dedaj dhe ish-konsulli, Lindon Kqira, i cili po ashtu e pati vlerësuar si jokushtetues vendimin e Osmanit.

Këto burime konfirmojnë se tani Policia e Kosovës është vënë në kërkim të tyre, për t’ua konfiskuar targat dhe ID-të diplomatike të ish-diplomatëve dhe familjarëve të tyre, të cilët vazhdojnë t’i shfrytëzojnë pa autorizim, përkundër përfundimin të mandatit.

Dedaj dhe Kqira mbajnë pa autorizim targat diplomatike të lëshuara nga Republika e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht, Dedaj ende nuk i ka kthyer targat diplomatike NMK 50-CD-001, të cilat janë të vendosura në veturën e tij të tipit Mercedes Benz E.

Ndërkaq, targat diplomatike NMK 50 -CD – 005, po vazhdojnë të shfrytëzohen pa autorizim nga Kqira në veturën e tij, të tipit VW Passat, carvan.

Policia e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut tashmë kanë shpërndarë urdhrin për konfiskimin e ID-ve diplomatike nuk janë dorëzuar ende nga ata dhe familjarët e tyre.

Sinjali mëson se urdhri për konfiskimin e targave dhe ID-ve diplomatike tashmë është vënë edhe në pikat kufitare dhe sapo të realizohet, këto dokumente nga kjo ministri do t’u kthehen autoriteteve maqedonase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat