Mori pjesë në grup terrorist, 2 vjet burg me kusht për të akuzuarën S.SH

Kronikë e zezë

Mori pjesë në grup terrorist, 2 vjet burg me kusht për të akuzuarën S.SH

Më: 19 janar 2022 Në ora: 17:37
Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka dënuar me dy vjet burg me kusht të akuzuarën S.SH. për shkak të veprës penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

E akuzuara është shpallur fajtore dhe është dënuar me dënim me kusht, duke ia vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej dy vjetësh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara brenda afatit të verifikimit prej tri vjetëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale.

Nëse e akuzuara S.SH. gjatë kohës së verifikimit kryen një apo më shumë vepra penale, dënimi me kusht i shqiptuar mund të revokohet, ashtu që në dënimin e vërtetuar me burgim në kohëzgjatje prej dy vjetëve, do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga data 17.07.2021 deri më 16.08.2021.

Po ashtu e akuzuara S.SH. është urdhëruar nga gjykata që të përmbushë detyrimin - vizitë te psikologu ose te këshilluesit tjerë dhe veprimet në pajtim me rekomandimet e tyre dhe atë në kohëzgjatje prej dy vjetësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.  

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat