Gjykata e Apelit ka vërtetuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik

Kronikë

Gjykata e Apelit ka vërtetuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 12:51
Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar ankesat e të paditurës Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë dhe palës së interesuar dhe me këtë ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të datës 12.04.2022, përmes të cilit është aprovuar si i bazuar propozimi i paditësve për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve për leje ujore dhe mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik.

Më 30 dhjetor 2021, oganizatat GLPS dhe Gjethi kanë paraqitur nëpërmjet Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike padi me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit për Lejen Ujore me Nr. Prot. 6724-2/19 dhe të Vendimit për lëshimin e Lejes Mjedisore me nr. Prot 1948-4/19 të lëshuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative ka aprovuar si të bazuar propozimin e GLPS dhe Gjethi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të cekura deri në vendosjen meritore të çështjes. Gjykata ka vlerësuar se ekzekutimi i këtyre vendimeve do t’i sillte dëm natyrës, i cili vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e tillë nuk është në kudërshtim  me interesin publik e as nuk do t‘i sillte dëm të madh palës kundërshtare. Tani ky aktvendim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

GLPS dhe Gjethi mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike.

Siç kanë theksuar organizatat paditëse në padi, procesi që i ka paraprirë lëshimit të Lejes Ujore dhe Lejes Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik, ka pasur shkelje ligjore si: (i) mos-zbatimi i procedurës së koncesionit (ii) mungesa e debatit publik apo mungesa e njoftimit adekuat të publikut për të, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj, si dhe (iv) mohimi i të drejtës së banorëve të Kaçanikut për ujë të pijshëm dhe të ujitjes.

Mbi këtë bazë, GLPS dhe Gjethi kanë kërkuar nga Gjykata që të shtyjë ekzekutimin e vendimeve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe në fund t’i anulojë këto vendime. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat