Policia akuzohet për dhunë dhe vrasje, në pak ditë shkelje të rënda të ligjit

Kronikë e zezë

Policia akuzohet për dhunë dhe vrasje, në pak ditë shkelje të rënda të ligjit

Më: 23 tetor 2022 Në ora: 15:23
Ilustrim

Shefi i krimeve në Devoll është pezulluar nga detyra pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj një qytetari në zyrën e tij. Në Gjirokastër një polic 24 vjeç ka përplasur për vdekje me makinën e tij një 12 vjeçar, ndërsa raste dhune nga punonjësit e policisë së shtetit janë raportuar edhe në Pogradec. Ndërkohë në Tiranë Policia po akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj Lear Kurtit i cili ndërroj jetë pak ditë më parë.

Punonjës të Policisë së Shtetit vijojnë të përfshihen në episode të shkeljes së rëndë të ligji.

Së fundmi shefi i Krimeve në Devoll Pashk Syziu është pezulluar nga detyra për shkak se një person I identifikuar si Marsel Buçi e ka akuzuar atë se ka ushtruar dhunë ndaj tij në ambientet e zyrës së tij.

I kontaktuar me telefon nga RTV ORA Pashk Syziu mohon akuzat duke thënë se nuk ka asnjë provë që ai ka ushtruar dhunë ndaj Marsel Buçit.

Do të jenë hetimet e thelluara të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që do të zbardhin të plotë nëse ka pasur ose jo dhunë brenda zyrës së shefit të Policisë së Devollit.

Nga ana tjetër në një aksident tragjik pasditen e së shtunës  në aksin Valare-Gjirokastër 24 vjeçari Ertkon Dinaj, me detyrë punonjës i Policisë së Gjirokastrës ka përplasur për vdekje me makinë një 12 vjeçar.

Të shtunën në Pogradec efektivi i Policisë rrugore Aleksandro Sulollari është përjashtuar nga policia dhe ndaj tij ka nisur procedimi penal, pasi është regjistruar duke ushtruar dhunë ndaj një shoferi.

Akuzat të forta ndaj Policisë së Shtetit janë bërë edhe për vdekjen e Lear Kurtit në Tiranë, ku si familja e tij edhe qytetarë të shumtë akuzojnë policinë se ka ushtruar dhunë ndaj të riut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat