Aktakuzë për sulm ndaj personit zyrtar

Kronikë

Aktakuzë për sulm ndaj personit zyrtar

Më: 24 tetor 2022 Në ora: 11:28
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Z.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, me datë 08.06.2022, rreth orës 14:40, në rrugën “Suzi Qelebi”, në Prizren, i pandehuri Z.B., me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrën zyrtare - zyrtarin policor, përkatësisht të dëmtuarin Q.D., për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari së bashku me dy zyrtar tjerë policor Sh.D., dhe Xh.H., ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar në rrugën e lartpërmendur, kanë hasur disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt, ndër to edhe vetura e markës “Volvo“, pronë e të pandehurit, ku i dëmtuari në xhamin e veturës i ka vendosur “njoftim për paraqitje obligative në stacion policor dhe vendimin për kundërvajtje”. I pandehuri Z.B., me të vërejtur zyrtarin policor afër veturës së tij, i afrohet dhe të njëjtit i drejtohet me fjalë të rënda ofenduese, dhe më pas i pandehuri me veprimet e tij i kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar – të dëmtuarin Q.D.

I pandehuri më pas, njoftimin për kundërvajtje e gris dhe copëzat e saj ia hedh në fytyrë të dëmtuarit dhe i vërsulet të njëjtit për t’a sulmuar, i dëmtuari duke e vërejtur rrezikun se do të sulmohej nga i pandehuri, e përdorë pajisjen zyrtare “Sprej OC“, duke hedhur të njëjtin në drejtim të të pandehurit, më pas i pandehuri largohet nga i dëmtuari.

Me këto veprime, i pandehuri Z.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat