I vuri zjarrin një lokali, arrestohet një person në Mitrovicë

Kronikë e zezë

I vuri zjarrin një lokali, arrestohet një person në Mitrovicë

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 14:10
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar një person, pasi i njëjti dyshohet se i ka vënë zjarrin një lokali në Mitrovicë.

Sipas Policisë së Kosovës, mbështetur në hetimet fillestare, shkas i rastit dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e mëhershme ndërmjet të dyshuarit dhe pronarit të lokalit.

“Hetuesit e Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta kanë identifikuar dhe kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën penale zjarrvënie të raportuar në orët e mëngjesit të sotëm”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Mitrovicë të jugut, Avni Sahiti. 

Ai ka bërë të ditur për KosovaPress se personi i arrestuar është një 26-vjeçar dhe se ka prova se ky i fundit ka kryer veprën penale. 

“Arrestimi i të dyshuarit M. H., 26 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës, është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara për kryerje të veprës penale ‘zjarrvënie” që është raportuar sot në ora 05:25, e ndodhur në fshatin Shupkovc të Mitrovicës së Jugut, ku si pasojë e zjarrvënies është dëmtuar dera një lokali (kafiteri)”, ka thënë ai. 

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat