Ngritet aktakuzë ndaj pesë personave të përfshirë në dhunimin e të miturës 11 vjeçare

Kronikë e zezë

Ngritet aktakuzë ndaj pesë personave të përfshirë në dhunimin e të miturës 11 vjeçare

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 15:42
Prokuroria

Prokuroria e Prishtinës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Ekrem Rexhepit dhe Shkëlqim Kamberit dhe tre të miturve të tjerë në lidhje me rastin e dhunimit të së miturës 11 vjeçare që ngjau më 27 gusht të këtij viti, raporton gazeta online Reporteri.net.

Rasti i 11 vjeçares, e cila ishte dhunuar për rreth shtatë orë dhe që shkaktoi revoltë të thellë qytetare dhe protesta, u përcoll me paraburgimin e pesë personave të përfshirë në aktin barbar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë -Departamenti për të Mitur, njoftoi sot se pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, sot ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: “E.R. dhe Sh.K., (madhorë), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11 vjeçares, të cilët gjenden në paraburgim”.

Sipas aktakuzës, “i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, njofton prokuroria.

“Po ashtu, njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 par. 1 të KPRK-së.

Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”,  nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

E mitura dyshohej se ishte dhunuar e trafikuar edhe në qershor të këtij viti dhe për këtë rast, prokuroria thotë se “është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat